Muja i VV-së e gjen fajtorin pse Trusti nuk ka bord: Neglizhencë e BQK-së
Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, ka bërë fajtore Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) për mungesën e Bordit të Trustit.
Ai ka thënë në kallxo.com se mungesa e bordit të Trustit është për shkak të neglizhencës së BQK-së si mbëkëqyrese kryesore e këtij institucioni.
“Në bazë të ligjit, BQK është mbikëqyrësja e Trustit dhe është mirë që politika nuk ka dorë në të, dhe thotë që kurdoherë që Trusti mbetet pa bord është një komision permanent për përzgjedhje, i përbërë nga guvernatori i BQK-së, si kryesues, ministri i Financave si anëtar dhe Auditorja e Përgjithshme si anëtare” – ka thënë Muja.
“Ma jepni një përgjigje, erdh edhe guvernatori sepse s’ka qenë gjithmonë e lehtë që ai të vijë në Komision dhe unë pyeta ku janë propozimet që këta është dashur ta bëjnë më 1 shtator të vitit të kaluar. Guvernatori thotë që i kam shkru një email, Auditorja ka thënë që s’e kam marrë atë email. Kjo është neglizhencë e BQK-së për zgjedhjen e bordit të Trustit” – ka shtuar ai në emisionin “Kallxo Përnime”.
Në anën tjetër, Qeveria nuk ka arritur që të emërojë guvernatorin e BQK-së, aktualisht në këtë pozitë kemi një ushtrues detyre, i cili ka qëlluar të jetë ish-kandidat i VV-së për deputet.
Pas përfundimit të mandatit të të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe mungesës së zëvendësuesve, këtë detyrë përkohësisht e ka marrë, Bashkim Nurboja, kryetar i bordit. Personi i afërt me VV-në, e i komentuar mjaft shumë kohëve të fundit, duket se qëndron mirë edhe financiarisht.
Në kohën kur Nurboja ishte vendosur në krye të bordit, Nacionale kishte raportuar për pasurinë e tij.
Për të mos harruar shumë institucione kryesore janë me ushtrues detyre.
Gjithashtu kohëve të fundit janë raportuar miliona euro humbje të kursimeve pensionale.


