Muaji 32-33 ditë: Berati shpjegon dredhinë e madhe për faturat alarmuese të dhjetorit
Ka dy-tri ditë që gazetari i Nacionales, Berat Buzhala, është marrë ekskluzivisht me faturat e stërfryra të rrymës që i kanë zënë frymën disponimit qytetar ditëve të fundit.
Hallet dhe indinjatën e njerëzve me këto faturime i kemi dëgjuar thuajse të gjithë.
Buzhala ka pranuar një numër të madh faturash nga qytetarë anekënd vendit – ndërsa çka heton në to është një hile që të lë një shije të hidhët. Matja e njehësorëve nga KESCO, siç vëren Buzhala, është bërë jo në kohëzgjate standard mujore – por, 32-33 ditore.
E te këto një-dy ditë shtesë qëndron “djalli”.
Ndonëse me ligj, vëren Berat Buzhala, matja mund të bëhet një ose dy ditë para ose pas. Por, këto faturime janë bërë “dy ditë pas”; dhe atë në dhjetor – mu në kohën kur shpenzimi i energjisë është theksueshëm më i lartë, shpjegon ai.
“Është problem me mbetë nën 800 Kilovatë. Por, me kalu 800-shin po kujdesen këta. Po e zgjasin muajin. Sepse mbi 800 kilovatë llogaritet dy fish tarifa”, vëren gazetari Buzhala.
“E tash KESCO-s çka ia nin me ta shit 8 cent me 3 cent t’u kanë me ta shty nja 2 ditë me ta shit me të shtrenjtën? Sepse thotë e ke kalu pragun. Kam plot raste që e kanë kalu pragun dy-tri ditë e fundit. Plot raste. Enorm raste”
“Për një konsumator mesatar i bjen që nëse brenda ditës i harxhon 50 KW, nëse çmimi mesatar mes tarifës së lartë dhe të ulët, p'e lajme 10, i bjen 5 euro në ditë”.
E krejt kjo “skemë 32-33 ditëshe”, Buzhala shprehet i bindur, se “nuk është rastësi”.
Faturën e parë të një zonje Buzhala e sheh kështu: “Një zonjës që ma ka dërgu faturen – të nëntorit, me 23 nëntor – i ka ardh çmimi 26 euro, asgjë s’ka pas me tarif të lartë, mbi prag, është 00. Në dhjetor në anën tjetër – kur fatura e kalume ishte 23 nëntor – kjo i ka ardhë me 25 dhjetor; që janë 32-33 ditë. I ka ardh 314 euro”.
“Këtu, me tarifë të shtrenjtë i ka 2 mijë e 400 kilowatë. Qikjo duhet me qenë diku nja 10 euro dita te qekjo zonja”.
Tjetra me radhë: “24 nëntor 2023 – 44 euro; 26 dhjetor (prap 32-33 ditë) 120 euro”.
Në këtë soditje të faturave, Buzhala ka një dyshim madhor: “Qekjo skemë duhet m’u adresu”, thotë ai.
“Me ligj i mundësohet KEDS-it dy ditë para dy ditë mprapa – por, qysh është e mundshme në krejt Kosovën me shku me e zgatë?”.
“Qysh është e mundshme që në krejt vendin kurrëkush s’ma çoj një që e ka më të shkurtër? Pse jo gjatë verës? Sepse nuk ka pikë rëndësie, sepse shumica dërmuese nën 800 Kilovatë”.
E këtu Buzhala i kthehet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të cilin e jep për fakt të kryer se – ndryshe nga gjithçka që ka premtuar për uljen e çmimit të energjisë – ka shtrenjtuar atë për 118% vetëm gjatë qeverisjes së tij.
Tjetra, Buzhala jep një analizë rreth çmimit të energjisë në bursën botërore – me çka rëndon qeveria arsyetonte shtrenjtimin e rrymës.
“Qe grafika për çmimin e megavatit në dy vitet e fundit. Piku ka qenë gushti i vitit të kalum. Megavati ishte shitur rreth 350 euro. Pastaj në muajin prill të këtij viti, kur neve na e kanë kcy tarifën, e kanë bë pragun mbi 800 me kanë tarifë të shtrenjtë, në atë kohë kur e ka rritë ZRrE ka qenë 150 euro megavati, e tash është 65 euro. Pse nuk janë fleksibil? Në fakt a ka logjikë?”, pyet ai.
“Cila është vlera e rrymës? Nëse në prill janë ulë ZRrE-ja dhe kanë thënë kqyre Çmbi qët prag duhet qekaq’. Duhet me shtru pyetjen pse? Thojnë se qekaq jena tu e ble jashtë. Mirë! Po çka bëjmë kur lirohet jashtë?”
Buzhala vazhdon të ndjek këtë tren mendimi të (pa)logjikës së kësaj.
“Qysh është e mundshme pe rrisim kur rritet çmimi në burs, por nuk pe ulin çmimin kur ulet edhe çmimi në burs? Qysh në gusht (të vitit të kalum) me 350 euro për megavat, ndërsa në dhjetor me 60 (euro, megavati) dhe me qenë çmimi i njëjtë?”.
“Ju këtë duhet me ditë, që nëse në gusht ka qenë qekaq shtrenjtë, e në prill e kanë ble më lirë. Qitash është në fund të pusit çmimi, gati më lirë se para luftës në Rusi. Pse nuk mbledhet ZRrE-ja? Kush janë ata? Apostujt e Krishit që s’un mbledhen çdo ditë a? Që ta kqyrim edhe njëherë!”.
Në çdo vend të botës, vëren Berat Buzhala, çmimet variojnë dhe lëkunden, por vetëm në Kosovë “dy herë ka marrë vendim Albin Kurti, dy herë e ka rritë, asnjëherë s’e ka zvogëlu”.
Këtu ai kthen një fjalim të Albin Kurtit në janar të vitit 2022 kur para deputetëve thotë se “aq lirë ka qenë rryma në katër vitet e fundit sa që s’e kanë ditur sa po paguajnë” derisa e vendos në kontrast me këto fatura të sotit.
“Qysh duket mashtruesi ndryshe?”, është pyetja me të cilën Buzhala e mbyll argumentimin dhe shpjegimin e tij.