MPJD për kontratën e Gani Jakupit: Nuk është pagë e mirëfilltë, përfshinë mbulesën e kostos jetësore
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka sqaruar kontratën për angazhimin e konsulentit të jashtëm përmes Ambasadës së Kosovës në Bruksel, Gani Jakupi.
Përmes një komunikate për media, kjo ministri ka bërë me dije kontrata është lidhur duke respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj.
“Kontrata e përfolur është lidhur në kuadër të shtimit të kapaciteteve të Republikës së Kosovës për të depërtuar sidomos tek disa shtete të caktuara, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës si dhe për të ofruar konsulencë të mirëfilltë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore. Kontrata është lidhur duke respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj. Përzgjedhja e konsulentit është bërë duke u bazuar në nevojat specifike të projektit konkret dhe njohuritë specifike të tij. Kontaktet e shumta të konsulentit të përzgjedhur në botën e kulturës dhe të medias, sidomos në një numër shtetesh që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, janë një pasuri e çmuar për kulturën, diplomacinë dhe shtetin tonë. Konsulenti i përzgjedhur është një artist i njohur në qarqet e gjera kulturore dhe artistike të Evropës Perëndimore, e sidomos në Francë, Belgjikë dhe Spanjë, por edhe në një pjesë të madhe të shteteve të Amerikës Latine”, është thënë në komunikatën e ministrisë.
Më tej, është sqaruar se shuma e kompensimit material nuk përbën një pagë të mirëfilltë, por përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me përmbushjen e kontratës.
“Është e rëndësishme të theksohet se sa i përket përmbajtjes së kontratës dhe posaçërisht shumës së përmendur në media, të gjitha procedurat e ndjekura i janë përmbajtur me fanatizëm ligjeve të Republikës së Kosovës. Aq më tepër që shuma e kompensimit material nuk përbën një pagë të mirëfilltë, por përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me përmbushjen e kontratës, pra ndër të tjera edhe mbulesën e kostos jetësore dhe të shpenzimeve të tjera për angazhim profesional në Bruksel. Shuma në fjalë nuk i tejkalon në asnjë aspekt standardet e kontratave të ngjashme të konsulencës, të cilat kanë si synim depërtimin diplomatik në grupe shtetesh dhe në fusha të ndryshme dhe nuk e tejkalon ndjeshëm shumën e kostos së një diplomati të lartë të Republikës së Kosovës në Evropën Perëndimore”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se edhe më herët ka pasur kontrata të tilla.
“Duhet qartësuar gjithashtu se në angazhimin e konsulentit të jashtëm nuk ka pasur asnjë konflikt të interesit, ndërkohë që gjatë procesit e përzgjedhjes, sikur edhe në të gjitha rastet e tjera, faktor ka qenë ekspertiza dhe kompetenca profesionale dhe dobia për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Publiku i gjerë është i ndërgjegjshëm që në të kaluarën ka pasur kontrata 50-fish më të shtrenja, por me rezultate shumë herë më modeste sesa kontrata e përfolur gjatë këtyre ditëve”, është thënë aty.
Ministri ka paralajmërua se edhe në të ardhmen do të interesohet për angazhime të tilla.
“MPJD edhe në të ardhmen nuk do të reshtë së kërkuari dhe mundësuari kontributin e të gjithë atyre që kanë vullnet dhe mundësi të ndihmojnë në fusha të ndryshme të diplomacisë, për ta vendosur Kosovën në vendin e merituar në arenën ndërkombëtare si Republikë e pavarur, sovrane dhe demokratike”, është thënë nder të tjera në komunikatë.