MPJ konfirmon: Kosovari që u arrestua para dy ditësh, Serbia i ka caktuar 30 ditë paraburgim, i është keqësuar shëndeti - NACIONALE

MPJ konfirmon: Kosovari që u arrestua para dy ditësh, Serbia i ka caktuar 30 ditë paraburgim, i është keqësuar shëndeti

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Minstria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se Serbia ka arrestuar një kosovar me shtetësi britanike, Sadik Duraku, në pikën kufitare Kroaci-Serbi.

MPJ për “Klan Kosova”, ka thënë se në lidhje me rastin janë njoftuar edhe vendet e QUINT-it.

“Ambasadori Jashari i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të z. Duraku, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse. Ambasadori Jashari po ashtu ka komunikuar me përfaqësitë diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, të cilët i ka njoftuar lidhur me rastin”.

Mes tjerash, MPJ ka bërë të ditur se Durakut i është dhënë terapi, pasi që është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

“Familjarët e z. Duraku kanë theksuar se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe avokati mbrojtës ka konfirmuar se atij gjatë kohës së mbajtjes i është dhënë nga autoritetet e burgut terapia përkatëse.” – thuhet në përgjigje.

Duraku, është arrestuar nën pretendimet e Serbisë se ka qenë ushtar i UÇK-së dhe se “ka kryer krime lufte kundër popullatës serbe gjatë viteve 1999”. Qytetarit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

“Z. Duraku, sot, e Premte, 19 prill 2024, në ora 9:00 ka dalur para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Sipas avokatit mbrojtës, Gjykata ka marrë vendim me të cilin atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve”.

Ndryshe, MPJ ka njoftuar mes tjerash se Duraku është arrestuar derisa po kthehej në Kosovë me veturën e tij personale.

“Në lidhje me pyetjet tuaja deklarojmë se sipas njoftimit të pranuar nga avokati mbrojtës dhe familjarët e z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës, nga fshati Damjan, Komuna e Gjakovës, (i cili ka po ashtu edhe shtetësi të Britanisë së Madhe), është arrestuar më 17 prill 2024, në Vendkalimin Kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci. Ai ka qenë duke u kthyer në Republikën e Kosovës me veturën e tij personale”.

“Pas arrestimit, z. Duraku i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999, ku pastaj është dërguar në Beograd në mbajtje edhe për 48 orë, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd’’.

Lajme të ngjashme