MPB-ja: Nuk ka marrëveshje për tërheqjen e Policisë nga veriu dhe lirimin e të arrestuarve
Ministria e Punëve të Brendshme, ka mohuar se ka një marrëveshje mes KFOR-it dhe protestuesve serbë për largimin e Policisë se Kosovës nga veriu dhe lirimin e të arrestuarve nga protesta e djeshme në Zveçan.
Zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi për teve1, ka mohuar se ka ndonjë marrëveshje
“Lajmi për arritjen e marrëveshjes mes KFOR-it dhe protestuesve, nuk qëndron. Nuk ka marrëveshje të tillë. Çfarëdo marrëveshje që flet se është arritur mes KFOR-it dhe protestuesve tërheqjen e trupave dhe lirimin e të burgosurve nuk është i vërtetë dhe nuk qëndron”- ka deklaruar Fetoshi.
Ndëryshe, Dragan Nedeljkoviq, që mediat serbe po e quajnë “anëtar i Autoritetit të Përkohshëm të komunës së Zveçanit”, ka folur para gazetarëve serbë.
Ai ka thënë se kanë marrë premtime nga KFOR-i se Njësia Speciale do të largohet nga veriu deri në orën 15:00.
“Komandanti i KFOR-it ka paralajmëruar se një pjesë e njësive speciale do të tërhiqen nga Zveçani gjatë natës, dhe se do të tërhiqen plotësisht deri në orën 15:00 të ditës së sotme”, ka thënë përfaqësuesi serb.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se po presin që serbët e arrestuar dje të lirohen. Sipas tij, ata i janë dorëzuar Policisë së Kosovës.
“Kemi ardhur të presim deri në orën 15:00 që të gjithë të largohen”, tha ai.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me serbët e arrestuar për përfshirje në dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it.
Në raportin 24-orësh, Policia ka bërë të ditur se dy prej të arrestuarve janë në mbajtje prej 48 orë.
Ata dyshohen për rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në turmë që kryen huliganizëm.
“Për shkak të dyshimit se kanë qenë të përfshirë në sulme ekstreme të dhunshme me mjete shpërthyese, ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, dy meshkuj K-Serb me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime të mëtejme, nga njësitet relevante policore”, thuhet në raportin e Policisë.
