Mosparaqitja e Kurtit në Prokurori, Britania dhe Gjermania shtojnë presionin: Të respektohet ligji dhe procedurat
Refuzimi i kryeministrit Albin Kurti për t`u paraqitur në Prokurorinë Speciale për intervistim në cilësinë ka nxitur reagime e aleatëve të Kosovës.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe ambasadat e disa vendeve evropiane kanë vlerësuar se ligji duhet të respektohet nga të gjithë.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka bërë me dije se respekti për sundimin e ligjit është një tipar thelbësor i demokracisë së Kosovës.
Në një përgjigje për Klan Kosova, kjo ambasadë ka vlerësuar se ligji duhet të respektohet nga të gjithë.
“Respekti për sundimin e ligjit është një tipar thelbësor i demokracisë së Kosovës. Ne i nxisim të interesuarit në këtë rast që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të respektojnë procesin e duhur ligjor dhe të punojnë në interesin më të mirë të vendit”, është thënë në përgjigjen e ambasadës britanike.
Edhe Ambasada e Gjermanisë ka vlerësuar se ligji dhe procedurat duhet të respektohen nga të gjithë.
Zëdhënësi i kësaj ambasade, Christian Böttcher, ka vlerësuar se para ligjit të gjithë janë të barabartë.
“Jemi plotësisht dakord me deklaratat e bëra nga misionet e tjera. Ne presim që të respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe të respektohen procedurat dhe proceset përkatëse nga të gjithë”, është shprehur Böttcher.
Një ditë më parë, këtë çështje e ka komentuar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës.
Në një vlerësim të kësaj zyre është thënë se BE-ja pret që çdo proces gjyqësor të jetë i drejtë dhe proporcional.
“Përderisa ka arsye për të diskutuar përmirësimet në sistemin e drejtësisë në Kosovë, të gjitha kritikat duhet të jenë të balancuara, duke synuar promovimin e llogaridhënies, integritetit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë. Në parim, ne nuk komentojmë hetimet në vazhdim apo procedimet gjyqësore. Ne presim që çdo proces gjyqësor të jetë i drejtë dhe proporcional, duke balancuar interesat përkatëse”, ka vlerësuar Zyra e BE-së për “Express”.
Mosparaqitja e Kurtit bëhet lajm ndërkombëtarë
Refuzimi i Kurtit për t`u paraqitur në Prokurori është bërë lajm botëror të martën. Ndonëse ai kishte deklaruar se lajm ndërkombëtar do të bëhej nëse ai do të shkonte në Prokurori, atij i ndodhi e kundërta.
“Washington Post” dhe “Associated Press” janë disa prej mediave prestigjioze botërore që shkruan për këtë veprim të kryeministrit Kurti.
Të dy këto media e “denoncuar” Kurtin për ‘ikjen’ e tij nga drejtësia.
Agjencia e njohur e lajmeve Associated Press” raportoi se Kurti refuzoi edhe në dhjetor që të paraqitet, duke insistuar që dëshmia të merret në zyrën e tij.
“Ai nuk është i akuzuar në këtë rast, por zyrtarë të tjerë janë”, raportohet tutje.
Tutje artikulli përmend edhe akuzat e sulmet e Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale. “Po përdor dhe po abuzon me lirinë për të luftuar me Qeverinë, jo krimin e korrupsionit. Unë kam qenë gjithmonë i gatshëm për të dëshmuar”, thuhej aty.
I njëjti artikull shkoi edhe në Washington Post. Aty u raportua se si Kryeministri i Kosovës po refuzon të dëshmoj për një rast korrupsioni.
Derisa Kurit duhej të paraqitej në prokurori, ai kishte zgjedhur të shkonte në përurimin e një çerdhe në Gjilan. Nga aty, ai ka përsëritur qëndrimin e tij se është i gatshëm të intervistohet në zyrën e tij.
“Unë asnjëherë nuk kam thënë se nuk do të jap dëshmi apo që refuzoj të jap. Përkundrazi, kam thënë që jam jo vetëm i gatshëm por edhe i interesuar që të dëshmoj. Në anën tjetër, kam shkruar letrën në të cilën kam treguar edhe oraret se kur mund të bëhet dëshmia”, është shprehur Kurti.
Ndaj veprimit të Kurtit ka reaguar edhe Prokuroria Speciale.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.