Mospajtimet e Osmanit me Kurtin për Asociacionin: “Argumentet s`iu dukën bindëse”, “kam komente shtesë”
Fundi i vitit 2023 ka nxjerr në dritë mospajtimet e kryeministrit Albin Kurti me presidenten Vjosa Osmani për dialogun me Serbinë.
Ndonëse gjatë terë vitit dukeshin se nuk kanë ndonjë dallim për këtë proces, intervistat e presidentes të dhëna në ditët e fundit të vitit që lamë pas kanë treguar shumë, raporton Nacionale.
Shefja e shtetit publikisht ka treguar se kryeministri ia ka refuzuar disa rekomandime në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Në një interviste për emisioni “Click” në RTV21, Osmani ka thënë se nuk ka arritur ta bind kryeministrin Kurti që se bashku me SHBA-të ta shkruajnë draft-statutin e Asociacionit.
“Po ndoshta kryeministrit nuk i janë dukur shumë bindëse argumentet, çka po doni të iu them tjetër. Është pyetje që duhet të ia bëni kryeministrit, pse drafti nuk është hartuar nga ana e Republikës së Kosovës. Ai e ka një qëndrim, unë e kam një qëndrim të cilin e kam thënë shumë qartë dhe atë përmes një viti: Kosova është dashur ta hartojë draftin e saj se bashku me SHBA-të”, ka thënë Osmani, duke kërkuar që të parandalohen dëmet tjera.
“Ajo gjë nuk ka ndodhur. Tani e kemi një draft tjetër, jemi para një realiteti të ri dhe nuk besoj që i ndihmon kujdo qoftë që tani të flasim për të kaluarën, por duhet të shohim si të parandalojmë ndonjë dëm shumë të madh për tash e tutje”, është shprehur ajo.
Shefja e shtetit ka bërë me dije se ka komente shtesë rreth draftit, të cilat dallojnë nga ato të Qeverisë.
“Të gjithë ne si institucione i kemi komentet tona. Dhe ato komete janë dorëzuar edhe nga ana e qeverisë. Unë kam komente shtesë përtej asaj që i ka dërguar qeveria, të ju them shumë sinqerisht. Mendoj se disa gjera që nuk i ka dërguar qeveria janë të rëndësishme, por këto i kam ndarë me partneret tanë në detaje”, ka thënë ajo.
Edhe në një intervistë për “TVDukagjini”, ajo ka folur për mospajtimet me kreun e ekzekutivit.
Kur është pyetur për raportet me Kurtin, ajo ka thënë se ka pasur debate të zjarrta me kryeministrin.
“Ka gjithmonë debate të zjarrta, por në fund gjithmonë e gjejmë një rrugë përpara dhe një mirëkuptim. Është me rëndësi qëllimet t’i kemi të përbashkëta, qëllime që kanë të bëjnë me një Kosovë çdo ditë e më të suksesshme, çdo ditë e më të fuqishme edhe brenda edhe jashtë sepse fuqizimi i ynë përbrenda reflekton edhe ndërkombëtarisht natyrshëm që çdo ditë marrim vendime që janë në interes të qytetarëve tanë”, është shprehur presidentja Osmani.
Qëndrimet ndryshe të Kurtit
Pavarësisht insistimit të Presidencës Osmani për të shkruar vetë draft-statutin e Asociacionit, kryeministri Kurti kishte refuzuar ta bënte një gjë të tillë.
Ndonëse ende nuk i ka komentuar vërejtjet e presidentes, Kurti edhe më herët ka treguar se ka qenë kundër ideve të shefes së shtetit.
Madje, më 3 nëntor, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ai kishte thënë se hartimi i një drafti nga ana e tij do të ishte shumë e dëmshme për Kosovës.
Nëse do ta bënte Kosova një gjë të tillë, sipas Kurit, ndërmjetësi do ta nxjerrtë një draft, i cili do të ishte një mesatare në mes të drafti të tij dhe draftit të Ekipit Menaxhues.
“Ka qen kurth për mua, jam i bindur për këtë gjë, se tash konsidencialitetin e bisedimeve nuk mund ta nxjerr, por jam i bindur për këtë, edhe më shumë sot se sa në pranverë e në verë, që po të shkruaja unë një draft-statut do të vinin me një mesatare aritmetikore midis Danijella Vujiçiq dhe meje si kryeministër i Kosovës dhe kjo do të ishte shumë e dëmshme. Unë kam insistuar në parime, në principe, dhe tash emisarët kanë ardhur me një draft-statut, i cili njëmend i respekton këto principe, mirëpo unë prapë i kam vërejtjet dhe kritikat e mija”, ka thënë Kurti.
Por, pa kaluar dy muaj, kryeministri Kurti kishte filluar t`i ndryshonte fjalët për këtë çështje.
Në fund të muajit dhjetor, ai paralajmëroi se gjatë vitit 2024 do të mund ta hartonte një draft.
“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, kishte shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërsa, pak ditë më pas, në një konferencë për media, ai ka sqaruar statusin e tij.
“Unë s’kam thënë se do ta shkruaj, por kam thënë se mund ta shkruaj draftin dhe kam treguar se cilët janë ministrat e mi, se kush janë ata”, kishte deklaruar Kurti.
Presidentja dhe kryeministri edhe më herët kishin shfaqur qëndrime të ndryshme në lidhje me draft-statutin e Asociacionit. Derisa Kurti kishte thënë se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Osmani ishte rezervuar nga vlerësimet e tilla, duke thënë se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të tregojë nëse draftin në fjalë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.