Mosemërimi i gjithë anëtarëve të KQZ-së, Osmani kritikohet nga PDK-ja dhe DnV: Po zvarritet procesi, po shkelet Kushtetuta
Vendimi i presidentes Vjosa Osmani për të mos emëruar dy anëtar të PDK-së në KQZ dhe dërgimin e kësaj çështje për interpretim në Gjykatë Kushtetuese ka nxitur reagime të shumta në vend. Derisa Partia Demokratike e Kosovës dhe shoqëria civile e kanë kritikuar ashpër shefen e shtetit, Osmani është munduar të arsyetoi veprimin e saj.
Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka reaguar ndaj vendimit të presidentes Vjosa Osmani për të dërguar në Kushtetuesen çështjen e emërimit të anëtareve të KQZ-së.
Përmes një deklarate për media, DnV e ka kundërshton vendimin e shefes së shtetit.
Sipas këtij koalicioni, veprimi i presidentes e vonon kompletimin e KQZ-së në një moment kur funksionaliteti i këtij institucioni është thelbësor për integritetin e proceseve zgjedhore.
“DnV vlerëson se mënyra e përbërjes së KQZ-së është e përcaktuar qartë në kuadrin kushtetues dhe atë ligjor përmes modelit strikt të përfaqësimit. Ky model nuk lidhet drejtpërdrejtë me rezultatin zgjedhor apo peshën politike të subjekteve në kuptim të numrave, por me parimin e balancës ndërmjet grupeve parlamentare që kanë të drejtë propozimi. Si i tillë, ai zbatohet në mënyrë të njëjtë edhe në rrethanat aktuale politike, pa u riformuluar në bazë të rezultateve apo konfigurimeve tjera”, ka vlerësuar DnV, duke dhënë detaje të tjera.
“Kjo qasje është reflektuar në mënyrë të qëndrueshme edhe në praktikë dhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Në raste të mëhershme, përfshirë periudhën pas zgjedhjeve të vitit 2021, përbërja e KQZ-së është përcaktuar mbi bazën e modelit strikt, duke kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit zgjedhor. Kjo praktikë përbën një standard - në harmoni edhe me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias - të vendosur që ka garantuar funksionimin e balancuar të institucionit”, ka vlerësuar DnV.
Më tej, DnV-ja ka vlerësuar se ky veprim i presidentes mund të ketë pasoja.
“Në këtë kontekst, trajtimi i kësaj çështjeje si dilemë kushtetuese dhe referimi i saj në Gjykatën Kushtetuese nuk kontribuon në qartësi shtesë, por prodhon vonesa në një proces që kërkon vendimmarrje të drejtpërdrejtë. Mosplotësimi i përbërjes së plotë të KQZ-së cenon konfigurimin e saj kushtetues prej 11 anëtarëve, duke ndikuar njëkohësisht në funksionimin dhe vendimmarrjen e saj. DnV bën thirrje që emërimi i anëtarit të mbetur të KQZ-së të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe standardet e vendosura në praktikë, në mënyrë që të ruhet funksionaliteti dhe besueshmëria e këtij institucioni”, është thënë në komunikatën e këtij koalicioni.
Për këtë çështje është deklaruar sot edhe presidentja Vjosa Osmani.
Ajo është munduar të arsyeton vendimin e saj
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar pse i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese rreth emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ndonëse në vitin 2021 këtë çështje e kishte dërguar vetë në Kushtetuese, ajo ka thënë se ende nuk është sqaruar kjo çështje.
“Për shkak se janë kërku tre nga Vetëvendosja, janë emëru vetëm dy. Janë kërku dy nga PDK-ja, është emëruar një, për shkak se ka më shumë propozime sesa që i lejon kushtetuta. Dhe meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Mirëpo ky rast është mbi një është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti Thaçi, qoftë nga ana ime. Se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykatat ta sqarojnë. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”, ka thënë ajo.
Ajo ka bërë me dije se tani e ka ngritur rastin mbi një bazë tjetër kushtetuese.
“Jo, nuk e ka sqaruar fare. Pra, nuk ka marrë vendim. Në fakt, atëherë gjykata, meqenëse ne e kemi ngritur lëndën mbi bazën e nenit 84 pika 9, pra kemi dërguar kërkesë për sqarim, ka thënë që nuk mund të bëjë sqarime shkaku i një standardi të ri që e ka ndërtuar gjykata. Ndërkaq, tani e kemi ngritur rastin mbi një bazë tjetër kushtetuese, pra nenin 113 të Kushtetutës, dhe shpresoj shumë që gjykata do ta japë përgjigjen. Pra, nuk është që vetëm një anëtar i PDK-së nuk është emëruar; edhe një i VV-së nuk është emëruar, në qoftë se i shohim propozimet e tyre. Dhe meqenëse aty është veç një vend, nuk i zë dy, duhet me pyet gjykatën se si të veprohet”, është shprehur Osmani.
Kurse, PDK-ja dje ka kritikuar ashpër presidentes Vjosa Osmani për mosemrimin e anëtarit të saj të dytë në KQZ.
Ashtu siç ka raportuar dje gazeta Nacionale, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka bërë me dije se vendim i fundit i presidentes Osmani është në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës dhe praktiken e mëhershme.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se ky veprim i presidentes cenon demokracinë dhe zgjedhjet në vend.
“Vendimi fundit i presidentes Osmani për mos emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ është cenim i Kushtetutshmërisë, demokracisë dhe zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gjoshi.
Me këtë veprim, sipas Gjoshit, presidentja nuk e ka respektuar as praktiken e saj të vitit 2021.
“Pra, Kushtetuta e Kosovës është e qartë: së pari, sigurohet përfaqësimi proporcional i subjekteve më të mëdha parlamentare. Dhe së dyti, meqenëse pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kuvend janë vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, ka deklaruar ai.