“Mos urinoni në klubin ku doni të hyni'”, mesazhi i pazakontë i Hovenierit nxit reagime: Shuplakë diplomatike për Qeverinë
Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, sot ka adresuar një kritikë të pazakontë ndaj institucioneve të Kosovës.
Derisa fliste për aspiratat e Kosovës rreth anëtarësimit në BE dhe NATO në një samit në Prishtinë, diplomati amerikan ka thënë se Kosova duhet të këtë kujdes me mekanizmat ku dëshiron të anëtarësohet.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të urinojë në klubin ku dëshiron të anëtarësohet.
Kjo shprehje eksplicite ka nxitur reagimin të shumta në vend.
Zyrtarët e opozitës kanë vlerësuar se shprehja e përdorur ishte e qëllimshme.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se kjo ka qenë një shprehje e pazakontë e diplomatit amerikan.
“Ambasadori Amerikan Jeffrey Hovenier ka qenë i kyqur në temën e Kosovës që nga lufta çlirimtare e popullit tonë e posaçërisht gjatë negociatave nën udhëheqjen e Marti Ahtisaarit. Ambasadori Hovenier shquhet si njeri me vlera të larta njerëzore, top diplomat me një urtësi të madhe politike, njerëzore dhe intelektuale. Ai ka gjithmonë fjalë të përzgjedhura dhe ka një dashuri të madhe për Kosovën dhe popullin e saj”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, kjo është një shprehje e pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova.
“Shprehja e tij “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni” është shprehje shumë e pazakontë e tij. Kjo shprehje e pazakontë është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën si Hovenier kjo ju dhemb. Kosova është keq dhe ka trend të përkeqësimit. Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh!”, është shprehur Haradinaj.
Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, mendon se shprehja e përdorur nga ambasadori amerikan është një shuplakë diplomatike për Qeverinë Kurti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo tregon se në fcarë shkalle i ka degraduar raportit me ShBA-të Qeveria Kurti.
“Se në çfarë shkalle qeveria Kurti i ka degraduar raportet me mikun më të madh të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregon deklarata e sotme e ambasadorit Hovenier, i cili e citoi babanë e tij, këshilla e të cilit ishte: ‘Mos p…… në dyer të klubit që doni të hyni’”, ka shkruar Haziri.
Sipas tij, qeveria aktuale ka urinuar edhe në terë të miqve.
“Kjo tregon edhe njëherë sa të shqetësuar janë miqtë tanë me këtë qeveri që mbeti tash e tri vjet pa miq. Kjo qeveri, jo vetëm në derë të klubit, por ka p…… edhe në derë të mikut. Kjo deklaratë deklaratë vjen për shkakt të kontrollit mbi polici, mosrespektimit të të drejtave për pakica si zotim dhe arsyetim i pranimit të Republikës tonë, moskoordinit me aleatët e mosmbajtjes së fjalës e obligimeve”, ka shkruar Haziri.
Kurse, anëtari i Kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, porosinë e Hovenierit e ka krahasuar me deklaratën e ish-ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson, të cilën e kishte dhënë në vitin 2014.
“Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, me një thënje të gjyshit të tij, ka një mesazh për Qeverinë e Kosovës: “Nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën e klubit”. Nê vitin 2014 Ambasadorja Amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, për të njejtin njerëz (atëher në opozitë) e patë përdorë si mesazh fjalën “mos e dhini punën”. Pasi këta të regjimit aktual nuk e kuptojn gjuhën diplomatike, dyshoj që janë aq të “ trashë” në kokë, sa nuk i kuptojn as këto mesazhi përmes një gjuhe jo shumë politike! Për 4 vite me kadandisën vendin deri në ketë deregje dhe me i rrënu për toke të arriturat 25 vjeqare të pas luftës, vetëm duhet me pasën mision djallëzor”, ka shkruar Berisha.
Ndryshe nga opozita, njerëzit e pushteti mendojnë se ambasadori amerikan nuk e kishte me Kosovën.
Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ka thënë se deklarata e diplomatit amerikan kishte të bënte me Serbinë dhe jo me Kosovën.
“I përshtatet Serbisë, asnjëherë Kosovës. Serbia është ai shtet që nuk respekton asnjë vlerë demokratike, është shtet autokrat që vazhdon me qenë faktori kryesor destabilizues në rajon”, ka thënë Basha në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.
Çka tha ambasadori?
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, sot ka dhënë një mesazh të pazakontë për institucionet e Kosovës.
Në adresimin e tij në Samitin për Paqe dhe Demokraci në Prishtinë, ai ka thënë se “nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën e klubit” .
Kjo frazë i ka parapriu një deklaratë e tij në lidhje me aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ambasadori amerikan ka thënë se duhet punuar e duhet bindur fillimisht shtetet e BE-së e NATO-s që s’e njohin Kosovën si të pavarur.
“Nuk e shoh se si bëhesh anëtar i BE-së, pa bashkërendim nga BE-ja. Dhe kjo nënkupton bashkërendim nga shtetet anëtare të BE-së. Nuk e shoh si bëhesh anëtar i plotë i NATO-s, pa bashkërendim nga të gjithë anëtarët e NATO-s. Siç e dini, disa nga ato shtete vetë nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e Kosovës si shtet sovran, demokratik dhe multietnik, siç e kemi pranuar ne. Duhet t’i bindni, duam të ndihmojmë. Kjo nënkupton, duke punuar në procesin e vendosur nga institucione të caktuara.”, ka deklaruar Hovenier.
Më pas, ai ka cituar një thënie, për të cilën, paraprakisht iu desh të kërkojë falje.
Sipas tij, kjo thënie është e gjyshit të tij.
“Gjyshi im ka pasur një thënie njëherë, dhe ju lutem me falni për karakterin paksa të shëmtuar të në të, nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën e klubit. Qëllimi im se çka dua të them është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë të shtetit e ambasadorë për të avancuar këtë. Ne duam të ndihmojmë. Presim çdo qeveri e Kosovës të na jap argumentet më të mira, municionet më të mira në këto bisedime.”, është shprehur Hovenier.