Mos anëtarësimi në KiE, Çitaku: Kronikë e një dështimi të paralajmëruar - NACIONALE

Mos anëtarësimi në KiE, Çitaku: Kronikë e një dështimi të paralajmëruar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se mos anëtarësimi në Këshillin e Evropës është kronikë e një dështimi të paralajmëruar.

Sipas Çitaku deri të ky dështim ka ardhur pasi që kushti për asociacion erdhi si pasojë e humbjes së besimit të Qeverisë Kurti nga aleatët e Kosovës.

“Ka qenë një kronikë e një dështimi të paralajmëruar. Ju e dini se PDK-ja e ka mbështetur procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, sikurse kemi insistuar që qeveria mos të humbë kohë, por të aplikojë menjëherë pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë që është bërë dy vite më parë. Arsyeja e vetme që deri tani ka qenë i pamundur procedimi i aplikacionit të Kosovës ka qenë Rusia dhe fuqia e madhe që ka pasur Federata Ruse brenda strukturave të ndryshme të Këshillit të Evropës.”

“Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës në vend që të trajtojë këtë proces seriozisht, në vend që të koordinojë hapat me aleatët tanë, ka bërë veprime të njëanshme, të pakoordinuara, ka prodhuar cikle të pafundme krizash dhe tensione që rezultuan me kushte shtesë për Kosovën. Këto kushte shtesë ne i kemi cilësuar të padrejta, megjithatë ato kanë ardhur si rezultat i humbjes së besimit të aleatëve tanë, në fjalën e dhënë të krerëve të institucioneve të Kosovës. Do të thosha me keqardhje se ndoshta më i rëndë se vetë akti i dështimit të Kosovës për anëtarësim është humbja e besimit të aleatëve në bartësit e institucioneve të Kosovës. Në fund, pamë një shfaqje qesharake, për keqardhje, skandaloze, një letër që ishte e gabuar, si në formë si në mesazhin që e përçonte tek aleatët tanë." - ka thënë Çitaku për KosovaPress.

Lajme të ngjashme