Monopoli i kerozinës, pas 6 viteve në pushtet Basha vazhdon me arsyetime: Do t`i takojë zyrtarët e “Limak”
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka paralajmëruar takim me përfaqësuesit e “Limak Kosovo International Airport” për të diskutuar çështjen për shërbimet e furnizimit me kerozinë në këtë aeroport.
Pas raportimit të gazetarit Berat Buzhala për monopolin e kompanisë EXFIS për furnizim të aeroporti me kerozinë, Basha ka reaguar duke dhënë një sqarim.
Ndonëse VV-ja e qeverisë Kosovën që 6 vite, ai ka vazhduar të arsyetohet për këtë çështje.
Ai ka bërë me dije se javën e ardhshme do të takohet me përfaqësuesit e kompanisë turke për t’i adresuar shqetësimet e ngritura lidhur me furnizimin me kerozinë.
Reagimi i plotë i Bashës:
S Q A R I M
Sa i përket çështjes së ngritur për shërbimet e furnizimit me kerozinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga kompania EXFIS, është e nevojshme të sqarojmë se kjo kompani NUK është LICENCUAR nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës për këtë shërbim.
Kompania EXFIS është përzgjedhur nga operatori i aeroportit, Limak Kosovo International Airport për këtë shërbim pas një tenderi ndërkombëtar të zhvilluar qysh në vitin 2010, gjatë Qeverisë së udhëhequr nga Hashim Thaçi, në kohën kur Ministër i Transportit ishte Fatmir Limaj.
Pra, as Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës dhe as Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës nuk vendosin për këtë çështje. Kjo kompetencë është përcaktuar në kontratën e koncesionimit të aeroportit, të nënshkruar në vitin 2010, ku sipas asaj kontrate, Limaku është përgjegjës të sigurojë që gjatë gjithë kohës të ekzistojë shërbimi i furnizimit me karburant në Aeroport.
Menjëherë në javën e ardhshme, si Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, do të zhvilloj takim me përfaqësuesit e Limak Kosovo International Airport për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’i adresuar shqetësimet e ngritura lidhur me furnizimin me kerozinë.