Molliqaj reagon pas raportimit të Nacionales: Gjendja e Ambasadës në ShBA është pasqyrë e Qeverisë Kurti - NACIONALE

Molliqaj reagon pas raportimit të Nacionales: Gjendja e Ambasadës në ShBA është pasqyrë e Qeverisë Kurti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas artikullit të publikuar në Nacionale, ku tregohet raporti i dërguar nga ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli, për ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në pjesën e parë të shkrimit të tij, ai i kërkon kryeministrit Albin Kurti ta ndalojë shantazhin, duke i thënë më pas, “dorëhiqu nese je kundër!”

“Ambasadori Dugolli njofton nga Uashingtoni për një situatë tejet të rënduar me Shtetet e Bashkuara, "brutale" e paska quajtur. Kemi prishje raportesh me aleatë, por do ta kemi edhe Asociacionin drejt autonomisë. Ndërkohë, asnjë shenjë drejt mirëqenies e zhvillimit.” – shkruan Molliqaj.

Ai ka vijuar duke thënë se gjendja e ambasadës në ShBA, është pasqyrë e qeverisjes së Kurtit.

“Gjendja e ambasadës tonë në Uashington DC është pasqyrë e qeverisjes Kurti. As nuk shpenzohet për projekte, as nuk shpërndahet për mirëqenie. Ndërkohë, ambasadat janë pa staf. Mendësia ështè feudale: kursimi krijon fitim. Ka mbetur veç t'i kthejnë paratë në flori dhe t'i mbjellin në tokë për shumim. “ – ka thënë tutje ai.

Postimi i plotë i Molliqajt në Facebook:

Ndale shantazhin kryeministër, dorëhiqu nese je kundër!

Ambasadori Dugolli njofton nga Uashingtoni për një situatë tejet të rënduar me Shtetet e Bashkuara, "brutale" e paska quajtur. Kemi prishje raportesh me aleatë, por do ta kemi edhe Asociacionin drejt autonomisë. Ndërkohë, asnjë shenjë drejt mirëqenies e zhvillimit.

Gjendja e ambasadës tonë në Uashington DC është pasqyrë e qeverisjes Kurti. As nuk shpenzohet për projekte, as nuk shpërndahet për mirëqenie. Ndërkohë, ambasadat janë pa staf. Mendësia ështè feudale: kursimi krijon fitim. Ka mbetur veç t'i kthejnë paratë në flori dhe t'i mbjellin në tokë për shumim.

Sikur me targat dhe shtyerjen e zgjedhjeve, edhe deklaratat kundër për Asociacionin janë strategji e marrëdhënieve me publikun. Deklaratat nxisin tension e frikë, publiku këtu është në ankth, përpara se gjithçka të pranohet, pa u kuptuar tamam çfarë u pranua. Prodhimi i një rreziku është mbrojtje për kompromiset. Kurti po i shantazhon njerëzit. Frika, tash sa kohë është mjeti i tij për ta shitur kompromisin. Përndryshe do të jepte dorëheqje.

Kjo qasje përveç që e dëmton rëndë Kosovën së brendshmi, as marrëdhëniet me aleatet nuk do t'i kthejë në pikën e mëparshme.

Lajme të ngjashme