Molliqaj: Është skandaloze që Qeveria e Kosovës bashkëpunon me kriminel si Radojiçiq
Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së, ka shkruar një status në të cilin ka komentuar përgjimet e publikuara nga Nacionale, ku Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, flet me Slavko Simiqin, ish-deputet i Listës Serbe, ku ndër të tjera e kritikon Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, për fryerje të listës së veteranëve të UÇK-së.
Molliqaj ka shkruar se pushteti është në panik. Tutje, ai shtoi se është skandaloze se si pushteti aktual bashkëpunon me kriminel si Milan Radojiçiq, i sanksionuar nga ShBA-ja dhe i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, me të cilin bisedoi Kusari-Lila.
“Pushteti është në panik.
Audioincizimet e publikuara nga mediumi Nacionale janë shumë të rëndësishme, sepse e shpërfaqin hipokrizinë morale të partisë/shtet.
Është skandaloze që Qeveria e Kosovës bashkëpunon me kriminel si Radojčiqi për gjëra të ndjeshme, si është çështja e veteranëve të luftës.” – shkroi ai.