Molliqaj: Drafti i Asociacionit do ta zhbëjë Republikën e Kosovës, nga sot flamuri ka vetëm dy yje
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka folur për medie pas aksionit që mbajtën para objektit të Qeverisë së Kosovës lidhur me Asociacionin.
Molliqaj ka thënë se draft-statuti i Asociacionit do ta zhbëjë Republikën e Kosovës si dhe barazinë mes qytetarëve.
“Drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga presidenti i Serbisë, në thelb e zhbën Republikën e 17 shkurtit të shpallur si shtet të pavarur, qytetarë dhe multietnik. Nga sot jo vetëm që e zhbën Republikën si koncept, pra ku qytetarët janë të barabartë pa dallim etnie e kombësie, tani siç e dini zhduket barazia mes qytetarëve të cilat kanë qenë të shprehur edhe simbole të shtetit të Kosovës përmes yjeve. Secili yje ka përfaqësuar një etni apo kombësi në këtë shtet të themeluar së bashku.” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka shpejguar edhe kuptimin e flamurit të cilin e vendosën në objektin e Qeverisë së Kosovës.
“Nga sot flamuri i Kosovës ka vetëm dy yje, që përfaqësojnë dy etnitë, e që në fakt përfaqësojnë thelbin, fillimin e konfliktit të vazhdueshëm që do të kemi mes vete. Pra nga Republika qytetare, në Republikë e cila ndahet në dy etni e konflikt të vazhdueshëm mes njëra-tjetrës. Mos harroni se përmes këtij drafti na janë vizatuar edhe kufijtë e brendshëm, qeveria ka me tentuar me thënë se siç u njohën kufijtë e jashtëm, duke e sulmuar idenë e ri përcaktimit që ishte ide dhe do të mbetet ideja e vetme që kishte me garantuar paqe edhe zhvillim e mirëqenie mes Kosovës dhe Serbisë.” – është shprehur Molliqaj.
