PSD ngrit “flamurin me Zajednicë” para Qeverisë
Në një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, Partia Socialdemokrate me në krye Dardan Molliqaj, ka ngritur “Flamurin me Zajednicë” të Kosovës, me pjesëzat e komunave të banuara me shumicë serbe të hijezuara në të bardhë.
Kjo pas pranimit nga Kryeministeri i Kosovës, Albin Kurti, të draft-Statutit të ri i cili siguron një gamë të gjerë vetëqeverisje dhe autonomie politike për serbët e Kosovës.
“(Asociacioni) e zhbën Republikën si koncept, e zhdukë edhe simbolikën e yjeve. Nga sot edhe flamuri i Kosovës nuk mund të jetë i njëjti. Nga sot flamuri i Kosovës i ka vetëm dy yje. Kemi themeluar një konfederatë të brendshme mes shqiptarëve dhe serbëve, pa pajtimin qytetar. Aksionet tona do të përshkallëzohen, do të kemi edhe protesta”, ka thënë Dardan Molliqaj.
Dardan Molliqaj dje përmes një postimi në Facebook tha se ky Statut “gjymton Kosovën” dhe për nga përmbajtja e saj tha se është “katastrofë”.
