Mohimet nga ambasadat: Qysh e sajoi VV-ja “mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë” për kandidaten e saj
Në orët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje provoi kartën e fundit rreth procesit të zgjedhjes së presidentit: t’i jepte peshë dhe legjitimitet kandidaturës së Feride Rushitit, duke tentuar ta lidhte emrin e saj me "mbështetjen ndërkombëtare". Por, një gjë e tillë u mohua nga ambasadat.
Nga foltorja e Presidencës, në prani të kryeministrit, kandidatja e VV-së, Feride Rushiti, la të kuptohej se hyrja e saj në garë nuk mbështetej vetëm nga partia. Ajo pretendoi se shtytja për ta synuar postin e parë të shtetit i kishte ardhur edhe “nga partnerët ndërkombëtarë”, duke e veçuar sidomos “ambasadën angleze”.
“Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” Sepse kam mendu që ka me pas zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuru për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam “grua e guximshme” prej Departamentit të Shtetit amerikan,” tha ajo.
Por, dy ambasadat e shteteve mike – ajo britanike dhe ajo amerikane – mohuan kategorikisht çdo lloj ndërhyrjeje apo mbështetjeje rreth kandidaturës së Vetëvendosjes.
Fillimisht, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar i konfirmoi Nacionales se “nuk ka asnjë rol në propozim a mbështetje” të ndonjë kandidati për president të Kosovës dhe se “as nuk e ka bërë një gjë të tillë.”
Ambasada ia kujtoi pushtetit se çështja e emrave është "rol ekskluziv i partive politike".
“Është rol ekskluziv i partive politike të diskutojnë dhe të propozojnë kandidatë të mundshëm për zgjedhje. Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë,” thanë ambasada për Nacionale.
Ngjashëm u përgjigj edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara, duke mohuar çdo rol amerikan në propozimin e kandidatëve.
Në përgjigjen për Insajderin, toni ishte po aq i drejtpërdrejtë:
"Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë rol në propozimin e kandidatëve për procesin zgjedhor presidencial në Kosovë. Është përgjegjësi e Kuvendit dhe udhëheqësve politikë të zgjedhin presidentin.”
Kosova nuk arriti ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. Me dështimin e procesit në Kuvend, aktivizohet pasoja e paraparë me Kushtetutë dhe e sqaruar edhe nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese: Kuvendi shpërndahet, ndërsa vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 dite.