Modeli i Kurtit si spiunazh klasik: plusa për njerëzit pro-VV, minusa për armiqtë - NACIONALE

Modeli i Kurtit si spiunazh klasik: plusa për njerëzit pro-VV, minusa për armiqtë

6 ditë më parë

nga Col Mehmeti

Po të lexohet pa e ditur paraprakisht se cila është dora autoriale, mbresa që fitohet është se një shërbim sekret nga jashtë kishte zbarkuar në Kosovë. Por, në fakt, ky ishte plani i Albin Kurtit më 2016 për të bërë ‘radiografi’ të komunave. Në doracakun e tij 52-faqësh, pjesë të të cilit sjell NACIONALE, del se ai i ngarkonte filialet e organizatës së tij me detyrën që të evidentonin krejt strukturën politike, sociale, kulturore e fetare në vend. Dikujt duhej t’i vihej shenja “+”, dikujt “–“, dikujt “0” e dikujt “?”, në varësi të mendimeve të tyre për Vetëvendosjen. Kurti propozonte që të rekrutoheshin përmes takimeve nxënës shkollash të mesme, profesorë, pronarë furrash, shitoresh e barnatorësh, shoferë autobusësh, taksistë, madje edhe hoxhallarë, priftërinj e shehlerë. Që të gjithë këta i quante “njerëz hekuri” dhe “njerëz magneti”, pra, të tillë që njihnin dhe kontrollonin njerëz të tjerë.

Col Mehmeti

12 qershor 2026 – Ai njeri që i shkon për shtat Kurtit duhet shënuar me shenjën “+” dhe quhet pozitiv.

I kundërti me të, d.m.th ai që nuk e sheh me sy Kurtin e Vetëvendosjen, duhet të shënohet me shenjën “–” dhe quhet negativ.

Nëse një njeri shfaq mendime të përziera as ashtu e as kështu për Kurtin dhe Vetëvendosjen, ai duhet të shënohet me “0” dhe quhet neutral.

Por, nëse një njeri është disi i pakapshëm dhe i papërkufizueshëm për Vetëvendosjen, ai duhet shënohet me shenjën “?” dhe për të duhet të bëhen hetime më shumë.

Kur po i letërnxinte këto radhë, Kurti si dyzet e një vjeçar ishte mbyllur në apartamentin e tij në rrugën “Svetozar Markoviq” afër Parkut të Qytetit.

Ishte viti 2016 dhe kishin kaluar muaj të tërë midis një anarkie e gjaku në rrugët e Prishtinës me kauzat kundër ‘Zajednicës’ dhe demarkaciconit.

Duke ia lënë formalisht kryetarllëkun e partisë Visar Ymerit, Kurti si eminenca gri ishte tërhequr prej muajsh në banesën e tij.

Edhe paraqitjet i kishte të rralla në publik dhe derën e hapte vetëm kur i vinin aktivistë e militantë që i përcillnin informacione për gjithçka.

Në orë të caktuara të ditës, fqinjëve në banesë u binte në vesh muzika me volum të lartë që vinte nga dera që hapej rrallë e përmallë.

Ata nuk mund ta dinin se kjo ishte praksa konspirative e Kurtit i cili mendonte se në banesë i ishin vënë mjete përgjuese, ndaj muzika e tërbuar rock i mbyste me decibelë pësht-pështet e tij me aktivistë.

“Radiografia”, plani për të diferencuar njerëz

Prej javësh kishte nisur të qëndiste një doracak 52-faqësh të cilin e mendonte si breviar që duhej të përvetësohej nga e gjithë organizata e tij që tashmë kishte filluar edhe me aksione të fshehta gjatë natës.

Me titullin që reminishon një frymë neoleniniste, dokumenti i quajtur Mbi organizimin politik nxjerr në pah Kurtin dhe Vetëvendosjen që qëndron fare larg imazhit të saj si lëvizje qytetare.

Duke qenë se udhëhiqej nga vizioni për t’i dhënë një profil të ri organizatës, ose siç e quante ‘ristrukturimi’, ai po ravijëzonte këshilla praktike sesi aktivistët e militantët e tij të afronin sa më shumë qytetarë rreth projektit të tyre politik.

Nëse teksti do të lexohej pa emër autori, një lexues i huaj do të ndahej me përshtypjen se bëhet fjalë për një takëm metodash që përdoren zakonisht nga komunitetet e shërbimeve inteligjente.

Kurti më 2016 kur ishte ‘tërhequr’ nga paraqitjet në publik (Burimi: politico.eu)

Në kapitullin e quajtur “Tërësia është pikënisje”, me të cilin hapet doracaku i Kurtit për militantizëm, Kurti porosiste që qytetarët në Kosovë duhet të identifikoheshin me tri elemente themelore: vendbanimin, shtresën shoqërore, dhe profesionin.

Sipas tij, organizata e kishte për detyrë që për të githë ata njerëz t’i kishte parasysh këto elemente, ashtu sikurse edhe vendlindjen e tyre dhe numrin e telefonit.

Me këtë rast, Kurti u propozonte qendrave të organizatës së tij një model me anë të të cilit njerëzit e targetuar do të klasifikoheshin sipas qëndrimeve të tyre mbi Vetëvendosjen.

Pranë emrit të tyre, sipas përshtypjeve të Grupit Punues të Qendrës së VETËVENDOSJE!-s, duhet vendosur njëra nga këto katër shenja: + (pozitiv), - (negativ), 0 (neutral), ? (duhet pyetur më shumë për të)”, shkruante kreu i organizatës.

“Neutralizimi” i atyre që kanë mendim negativ për VV-në

Një skanim i tillë, sipas Kurtit, do të përftonte ‘radiografinë’ e secilës komunë.

Filialet lokale të Vetëvendosjes anëkend Kosovës do të kryenin mbi 75 për qind të punëve të evidentimit, kurse një Grup Punues nga qendra në Prishtinë do të merrte skanimin e bërë dhe do të planifikonte takime me njerëz.

Me synimin për t’i rekrutuar në organizatë, aktivistët e ngarkuar për këto takime duhet të mendonin edhe “detyra të llojlloshme” për njerëzit e kontaktuar.

Të paktën kështu ishte sugjerimi i kreut të organizatës.

Takimet zhvillohen nga anëtarët e kryesisë, deputetët dhe aktivistë të shquar të Sekretariatit të Përgjithshëm nga Prishtina, bashkë me dikë nga Grupi Punues i Qendrës. Njerëzit që i takojmë duam t’i informojmë për VETËVENDOSJE!-n, ta dëgjojmë mendimin e tyre për Lëvizjen tonë e deri te anëtarësimi e aktivizimi i tyre. Është e rëndësishme të mendohen detyra të llojllojshme për ta si për nga fushat e ndryshme po ashtu edhe për nga vështirësia e kryerjes së tyre.”

Duke lexuar doracakun në fjalë bie në sy edhe një metodë tjetër e cila sot e gjithë ditën vazhdon të mbetet si praktikë kryesore e Vetëvendosjes në raport me armiqtë e organizatës.

E njohur si ‘neutralizim’, kjo metodë ishte shestuar qysh më 2016 kur Kurti rrinte i kërrusur me orë të tëra mbi kompjuter teksa po e shkruante doracakun militant.

Sipas tij, edhe njerëzit e vlerësuar negativisht, pra me shenjën “–”, nuk duheshin hedhur mënjanë, por duhet të përpunoheshin privatisht duke u fshehur pas kërkesave miqësore për kafe.

Nga njerëzit që vlerësohen negativisht, duhet të takohen ata të cilët kanë ndikim në komunën përkatëse dhe flasin keq për VETËVENDOSJE!-n, qoftë publikisht apo edhe vetëm privatisht. Ata duhen takuar dhe shpjeguar për qëndrimet, angazhimet dhe idetë e Lëvizjes sonë, pavarësisht sa e kotë mund të duket një gjë e tillë.”

Evidentimi i strukturave shoqërore dhe jo vetëm

Filialet lokale, gjithnjë sipas planit të Kurtit, ngarkoheshin me një mision që i shkërben punës së shërbimeve informative.

Ai porosiste që “qendrat e VETËVENDOSJE!-s”, duhet të evidentonin strukturat institucionale, politike, shoqërore, ekonomike, arsimore, kulturore, sportive e fetare, si dhe përbërjen e tyre.

Dhe Kurti nuk kishte përtuar që të identifikonte secilën prej tyre.

Aktivistët e militantët duhet t’iu aviteshin profesorëve të shkollave të mesme e atyre fillore, drejtorëve të shkollave të mesme e fillore, por edhe nxënësve të klasave të 11-ta e 12-ta.

Qendrat duhet të vinin kontakte me ish-punëtorë fabrikash, me drejtues OJQ-sh lokale, gazetarë komunash, pronarë e shitës në furrat e bukës, pronarë e kamarierë në kafenetë më të frekuentuara, pronarë e shitës barnatorësh, pronarë e shitës në shitoret e fshatrave, etj.

“Njerëz hekur” dhe “njerëz magnet”

Dhe nuk ndalej me kaq ‘radiografia’ e komunave.

Kurti kërkonte me ngulm që të viheshin kontakte me pronarë e shoferë autobusësh e taksish, me veteranë, invalidë e familje të dëshmorëve, me berberë e frizere, me hoxhallarë, shehlerë e priftërinj, me pjesëtarë të FSK-së, Policisë së Kosovës, me inkasantë të KEDS-it, Ujësjellësit, Bashkësisë Islame, me pronarë qendrash rekreative e të fushave të futbollit, me trajnerë, drejtorë e lojtarë ekipesh sportive, me kryetarë bashkësish lokale, etj.

Që këshillat e dhëna në doracak të mos dukeshin si plan rekrutimi, Kurti i shtonte edhe një thënie të Victor Hugoit se “ka njerëz që janë hekur dhe njerëz që janë magnet”.

Tutje, kreu i Vetëvendosjes shpallte se “neve na duhen të gjithë këta njerëz, sepse duhet të qëndrojmë të fortë kur rezistojmë e të jemi të fortë kur godasim, por edhe t’i tërheqim njerëzit e tjerë prej hekuri teksa zgjerohemi e rritemi”.

ShIK-u, paranoja klinike e Kurtit

Mjaft interesant në doracakun e Kurtit është edhe sugjerimi i tij që Mitrovica të bëhej e para komunë që do t’i nënshtrohej ‘radiografisë’.

Ajo që shquan në këtë doracak është urrejtja e tij në shkallë neurotike ndaj shërbimit informativ që doli nga UÇK-ja, ShIK.

Ky shërbim i konsideruar jetik për UÇK-në, që gëzoi mbështetjen edhe nga ShBA-të dhe shteti shqiptar, ishte shuar në vitin 2008.

Pas pavarësimit të Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), e themeluar më 4 shkurt 2009, ishte institucioni i vetëm që kishte mandat për të dhënë informacione sigurie.

Por, Kurti vazhdonte ta kishte zët UÇK-në, dhe besonte që ajo po e kontrollonte njërën pjesë të Mitrovicës, kurse tjetrën Serbia.

Mitrovica është në gjendjen më të rëndë: qyteti më i varfër i Kosovës përkundër pasurive dhe potencialit të Trepçës, qyteti me urën më të madhe që vazhdon të mbetet i ndarë, qyteti të cilit i janë hedhur sipër, edhe Serbia edhe ShIK-u. Të dyja këto janë shumë të fuqishme në Mitrovicë ndërkohë që nuk bëjnë luftë me njëra-tjetrën. Duket që ndarja e Mitrovicës në Kosovën e pasluftës i bashkon ata. Qendra e VETËVENDOSJE!-s atje duhet të jetë po ashtu më e veçantë”, thuhej në doracakun e Kurtit. /Nacionale/

Lajme të ngjashme