Mjerimi i pushtetit: Krijuan probleme me pagat e ushqimin e FSK-së, krenohen se “nuk dështuan” dhe e sulmojnë opozitën
Gjatë ditëve të fundit, pushteti në mënyrë krejt absurde dhe të çuditshme krijoi dy probleme: pagat e shërbyesve civilë dhe ushqimi i FSK-së. Në të dyja rastet, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, improvizoi me zgjidhje. Si u materializua logjika absurde pushtetit?
Pagat u ekzekutuan, pasi u emërua një ushtrues detyre i Thesarit, vendim që dyshohet si i kundërligjshëm. Ndërsa zgjidhja për ushqimin e ushtarëve të FSK-së ishte edhe më improvizuese dhe e përkohshme: pushteti i “rekrutoi” përkohësisht Mensën e Studentëve dhe kuzhinën e burgjeve për të përgatitur ushqim për ushtarët e Kosovës.
Pasi krijuan dy probleme, me të cilat asnjëherë më parë Kosova s’ishte përballur, dhe i zgjodhën në mënyrë të atypëratyshme, tash pushteti ka nisur një qasje po aq absurde. Pasi i “zgjidhën” problemet e vetëshkaktuara, pushteti po krenohet se nuk dështoi. Madje, ata po e akuzojnë edhe opozitën se është “çmendur” nga këto zgjidhje.
Pra pushteti i krijoi problemet, i “zgjidhi” në mënyrë ad hoc, tash krenohet se nuk dështoi dhe e sulmon opozitën. Natyrisht, njeriu më i zëshëm në këto dy tema është deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci. Në një shkrim në Facebook, Bajqinovci shkroi se “opozita po çmendet” që u zgjidhën këto dy probleme.
“Pagat dolën. Ushtarët po ushqehen. Krerët e shtetit në vizita jashtë vendit.
Opozita çmendet” – ka shkruar Bajqinovci.
Në të njëjtën linjë ishte edhe vetë zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, i cili tha se qëllimi i opozitës është të krijojë panik me çdo gjë të mundshme.
“Qëllimin e kanë të bëjnë panik me çdo gjë të mundshme. Provuan me ushqim, provuan me paga. Dështuan në të dyja. Siç dështuan për këto gati 4 vite. Do të dështojnë edhe gjatë. Do të dështojnë përgjithmonë” – ka shkruar Manxhuka.
Gjuhën kritike e thelloi Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në VV. Ajo akuzoi për një ndërlidhje mes shkrimeve e paralajmërimeve për pagat dhe ushqimin e FSK-së dhe “shpërblimeve”.
“Këta që u dëgjuan këto dy ditë nuk e ngrenë zërin asnjëherë kot. Dmth pa shpërblim.
Besoj e kanë kryer me sukses të gjithë shërbimin ndaj "BENI DONA" që për mbi 10 vjet i kënaqi në mënyrë briliante me ushqimin e shërbyer institucionet. Tani mund të kalohet tek tema tjetër ku duhen kryer shërbimet me pagesë. Apo jo çuna të redaksive dhe partive?
Jepini forca, kush po paguan më shumë” – shkroi mbrëmë Mihali.
Sjellim ndër mend që Nacionale ka raportuar në vazhdimësi për skandalin me ushqimin e FSK-së. Shteti është detyruar të gjejë zgjidhje të përkohshme për përgatitjen e ushqimit për ushtarët e FSK-së, duke e angazhuar Qendrën e Studentëve për ushqyerjen e ushtarëve kosovarë.
“Të merren masat të bëjnë transportin e personalit të Menzës së Studentëve që pritet të angazhohen për përgatitje të ushqimit, nga kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë deri në kazermat e FSK-së. Transporti i personelit bëhet duke filluar nga data 01.10.2024 deri në njoftimin e radhës”, thuhej në vendim, ku shtohet se këto njësite do ta kenë edhe obligimin që personelin e Mensës ta drejtojnë për angazhim dhe përgatitje të ushqimit.