Mitrovicë e Jugut: Ndërpritet numërimi i votave pas raportimeve për parregullsi
Nacionale ka mësuar procesi i numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë të Jugut është ndërprerë , pas raportimeve për parregullsi serioze gjatë numërimit. Numërimi pritet të vazhdojë nesër.
Sipas burimeve të mirëinformuara, prokurori i rastit, Shpëtim Peci, kishte dhënë urdhër që procesi i numërimit të vazhdojë, por ky vendim është kundërshtuar nga komisionerët dhe vëzhguesit. Pas kësaj situate, në vendngjarje ka mbërritur edhe kryeprokurori.
Nisja e hetimeve
Sipas informacioneve të siguruara nga “Nacionale”, ndërprerja ka ardhur pas dyshimeve për parregullsi në disa fletëvotime.
Në pamjet e dërguara redaksisë, vërehen fletëvotime që konsiderohen të dyshimta, pasi nuk përputhen numrat serikë me qendrën përkatëse të votimit.
Punonjësit në vendngjarje kanë raportuar se janë identifikuar mbi 20 raste të tilla. Nacionale ka kërkuar informacione shtesë nga Prokuroria lidhur me arsyet e ndërhyrjes, por deri në publikimin e lajmit, institucionet kompetente nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje zyrtare.
Kujtojmë se më herët, përfaqësues të PDK-së në Mitrovicë kanë denoncuar “inxhiniering të organizuar zgjedhor”, duke pretenduar se disa vendvotime janë lëvizur nga klasa në klasë, si dhe se janë gjetur fletëvotime me numra serikë të ndryshëm.
“Numërimi ka filluar në orën 8 të mëngjesit – tash jemi në pasditë, ku po përballemi me parregullësi të jashtëzakonshme. Deri më tash janë numëruar gjithsej 35 kuti votimi, prej të cilave mbi 20 vendvotime kanë lëvizur nga klasa në klasë apo edhe nga vendvotimi në vendvotim. Pra, është një inxhiniering i organizuar, që shihet qartë prej provave dhe fakteve të argumentuara që i kemi hasur gjatë numërimit të votave. Deri tash, siç e potencova edhe më herët, janë mbledhur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë – pra, numri serik dallon prej vendvotimit.” – tha për media Kryesuesi i Qendrës Komunale të Numërimit në Mitrovicë nga radhët e PDK-së, Jahir Sumiqi.