"Misioni i vështirë", Edi Rama sot flet kundër Raportit të Dick Martyt në Këshill të Evropës - NACIONALE

"Misioni i vështirë", Edi Rama sot flet kundër Raportit të Dick Martyt në Këshill të Evropës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edi Rama ka marrë rrugën për Strasburg, ku do t’i drejtohet Asamblesë së Këshillit të Evropës nga ora 15:30. Natyrisht, tema tashmë veçse dihet. Kryeministri shqiptar do të flasë kundër raportit të Dick Martyt, ish-sentator zviceran, që e akuzonte UÇK-në për trafikim të organeve të në atë që më vonë u njoh si “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri.

Edhe mesazhi i Ramës, apo thënë ndryshe përmbajtja e fjalimit, është lehtësisht e parashikueshme. Bazuar në fjalimet e tij të fundit kundër raportit të Martyt, Rama do t’u tregojë deputetëve të Asamblesë së KE-së se nëpërmjet këtij raporti “bota është kthyer përmbys”.

Në fakt, një mesazh të tillë Rama e dha vetë dje në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Kur bota kthehet përmbys dhe viktimat kthehen në fajtorë, atëherë çdo gjë është e mundur…

NESËR FJALA IME NË KËSHILLIN E EUROPËS”, shkroi z.Rama në atë që ishte paralajmërimi i parë.

E në mëngjes, ai ka treguar se tani është rrugës drejt Strasburgut, vendin ku kohë më parë Shqipëria dorëzoi një rezolutë kundër raportit të Martyt.

Mesazh i parë u prit jashtëzakonisht mirë, duke u shpërndarë deri në botimin e këtij shkrimi plot 292 herë.

Në mesin e shpërndarësve ishin edhe Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së, e ish-këshilltari i Kadri Veselit, Shkelzen Dragaj.

Por kjo nuk është hera e parë që Edi Rama flet për ish-udhëheqësit e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale.

Fjalimi në OKB

Edi Rama e kritikoi raportin e Martyt edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në fjalimin e tij të gjatë, shefi i ekzekutivit shqiptar foli për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se ai është arrestuar pa ndonjë padi.

Ndërsa raportin e Martyt e cilësoi si “fantazi”, “dështim monumental në nivel ndërkombëtar”, e “manifest” kundër pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Rama, para liderëve të të gjithë globit, deklaroi se nuk kishte si mos ta ndante një “shembull të tmerrshëm”, i cili shembull, sipas tij, duhet të jetë mësim për të gjithë botën, e veçanërisht atë demokratike.

Në vitin 2011, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një raport, përpiluar nga një parlamentar i zellshëm, i cili mban emrin Dick Marty, e ku akuzohej ushtria e Kosovës për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Zoti Marty duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Europës. Raporti i tij ishte tronditës, e jo vetëm shumë, asokohe, i besuan, por u shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së dhomave të specializuara të gjykatës për Kosovën. Po kështu, u bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloji i manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës.”, theksonte z.Rama.

Ndërsa për çështjen e trafikimit organeve, z.Rama vlerësoi se nuk ishte gjetur asnjë provë.

E megjithatë, dhomat e specializuara për Kosovën, që u ngritën bazuar në këtë raport, ndërkohë që flasim, kanë arrestuar pa padi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Ai priti një vit në burgim derisa u akuzua zyrtarisht. Përpiquni ta imagjinoni të gjithë për një moment, presidenti apo kryeministri juaj, udhëheqësi i vendit tuaj që merret nga zyra, çohet në një vend të tretë, mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akt-akuzë zyrtare nga një organizëm i krijuar dhe sponsorizuar nga një komunitet vendesh demokratike e pa gjejeni?”, shtoi z.Rama.

Një fantazi e tërë”, shtoi kryeministri shqiptar.

Kritikat në sinkron

Ndonëse përgjithësisht në publik ky fjalim i Ramës u prit mirë, ishin së paku dy politikane, me shumë fuqi institucionale, që e kritikuan kryeministrin e Shqipërisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për VOA-n, e kritikoi Ramën, duke thënë se ai po e arsyetonte qasjen e Serbisë karshi Kosovës.

Për më shumë, shefja e shtetit kosovar deklaroi se Rama po ia “shpëtonte” fytyrën Serbisë së presidentit Aleksandar Vuçiq.

Unë e përmenda se cilat janë dallimet tona, unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj se është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse e Serbisë, nuk mendoj aspak se është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kjo pastaj shkon në ato që quhet politika e “facesaving”, shpëtimit të fytyrës së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit”, kishte deklaruar ajo.

Edhe Donika Gërvalla, ministre e Punëve Jashtme, përdori një gjuhë përafërsisht të ngjashme kundër z.Ramës.

Madje, ajo shtoi një dozë në gjuhën e ashpër anti Rama, duke e cilësuar atë si “avokat të Vuçiqit”.

Është e vërtetë që kemi divergjenca sa i përket “Ballkanit të hapur”. Kemi divergjenca edhe në raport me atë se si kryeministri shpesh pa asnjë nevojë, bëhet avokati kryesor i (Aleksander) Vuçiqit në vende dhe mediume të ndryshme ndërkombëtare duke i ndihmuar Vuçiqit të mos bëhet pjesë e politikës së përbashkët të BE-së dhe ShBA-së në raport me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, për të qenë shumë e sinqertë, mendoj që asnjëherë më parë marrëveshjet konkrete që kemi me Shqipërinë, nuk kanë qenë të implementuara me një shpejtësi të tillë si deri tani dhe nuk kanë qenë më tepër në kuptimin e asaj që t’u shërbejnë qytetarëve në të dyja anët e kufirit, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë”, deklaroi Gërvalla në një intervistë për Zërin e Amerikës, javë më parë.

Kujtojmë që dje Nacionale shkroi se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të nisë në fillim të vitit 2023.

Lajme të ngjashme