Miratohet në parim Projektbuxheti 2026 me 66 vota “Pro.”
Kuvendi i Kosovës i ka dhënë dritën jeshile në lexim të parë projektligjit për ndarjet buxhetore të këtij viti, duke hapur kështu fazën e shqyrtimit të detajuar në komisionet parlamentare.
Projektbuxheti mori mbështetjen e 66 deputetëve, ndërsa 32 votuan kundër dhe pesë abstenuan.
Në përmbyllje të seancës së jashtëzakonshme, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, falënderoi deputetët për votimin dhe njoftoi hapat e radhës proceduralë.
“Shihemi nesër në orën 10:30”, tha ajo, duke iu referuar seancës solemne për Ditën e Pavarësisë.
Njëkohësisht, Haxhiu kërkoi nga Komisioni për Buxhet dhe komisionet e tjera parlamentare që të shqyrtojnë projektligjin dhe t’i paraqesin Kuvendit rekomandimet për leximin e dytë.
Me këtë votim, projektbuxheti hyn në fazën ku përmbajtja e tij do të testohet në detaj, para se të rikthehet në seancë plenare për miratim përfundimtar.