Miqtë e Kurtit në Maqedoni as nuk paraqiteshin në vendin e punës - NACIONALE

Miqtë e Kurtit në Maqedoni as nuk paraqiteshin në vendin e punës

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Nga Zyra e Albin Kurtit, nëpër takime e mitingje, koalicioni VLEN ishte cilësuar si alamet arritje e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Megjithëse aleatët e tij ishin humbës në zgjedhje, VMRO-DPMNE i kishte zgjedhur pikërisht ata për ta formuar qeverinë e re. Tani kur i ka hyrë uji përfundimisht këtij koalicioni, akuzat e ndërsjella nuk kanë të ndalur. Një prej akuzave më të rënda, që erdhi prej Arben Taravarit, është se zëvendësministrat e VLEN-it as nuk janë paraqitur në vendin e punës.

Col Mehmeti

VLEN-i ishte mrekulli e krijuar para një viti, por ai në të vërtetë ishte një orkestër e pasinkronizuar mes partive që ishin pjesë përbërëse e koalicionit.

Këto vlerësime i ka ndarë kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një kohë kur ky koalicion është në fije të perit për shkak të pakënaqësive të brendshme.

Në emisionin ‘Click Plus’ të gazetarit Fatmir Aliu, Taravari ka folur gjerë e gjatë për koalicionin e katër partive shqiptare, problemet e brendshme dhe performancën brenda qeverisë.

Sipas tij, ky koalicion e solli ndryshimin e gjatëpritur prej shqiptarëve duke e siguruar një rotacion politik me zhvendosjen e BDI-së në opozitë.

“VLEN-i ishte mrekullia që u krijua para një viti, një kombinim që nuk ishte krijuar asnjëherë më parë, ku të gjitha partitë opozitare u bënë bashkë për të sjellë ndryshime”, ka thënë Taravari, i cili po ashtu mban postin e ministrit të Shëndetësisë në Qeverinë e Mickoskit.

Ai e ka konsideruar si sukses që ky koalicion me 14 deputetë mori gjashtë ministra, shtatë zëvendësministra si dhe dhjetra drejtori.

“Për këtë periudhë nëntëmujore jemi munduar që së bashku të japim maksimumin tonë me plot projekte të realizuara. Por, pritshmëria e qytetarëve, sidomos atyre shqiptarë, ka qenë shumë më e madhe sesa ajo që kemi realizuar”.

Tutje, Taravari nuk ka ngurruar të zbulojë edhe prapaskena të koalicionit VLEN dhe përfaqësues të tij nëpër ministri që nuk janë paraqitur fare në vendin e tyre të punës.

“Imagjino ka edhe zëvendësministra që nuk shkojnë në punë, ose shkojnë një ditë në javë në punë. Të VLEN-it? Të VLEN-it. Ka edhe drejtorë e zëvendësdrejtorë që janë margjinalizuar”, ka bërë të ditur kryetari i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët.

Ndryshe, ditët e fundit kanë qenë tejet dramatike për koalicionin VLEN, duke ngritur dyshime edhe për rikonstruktim të qeverisë.

Pas mospajtimeve e paqartësive për sa i përket zgjedhjeve lokale, katër partnerët e tjerë të koalicionit, si Lëvizja Demokratike, Alternativa, Besa dhe Vetëvendosja, kanë paralajmëruar se do të shkrihen në një subjekt të vetëm.

Përplasjet e brendshme në koalicion nuk i kishte fashitur as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Edhe pse mbahej si ‘kumbarë’ i këtij koalicioni, iftari i shtruar më 28 mars nuk siguroi dot bashkimin e VLEN-it.

Burime të afërta me këto parti patën bërë me dije se edhe gjatë iftarit kishte pasur përplasje mes Arben Taravarit dhe Bilall Kasamit të Lëvizjes Besa.

I quajtur fillimisht si Lëvizja Evropiane për Ndryshim, duke pasur si bërthamë Lëvizjen Demokratike, Alternativën dhe Lëvizjen Besa, ky koalicion ishte formalizuar me 17 shkurt të vitit të kaluar kur pjesë e tij ishin bërë edhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Taravarit) si dhe filiali i Vetëvendosjes në Maqedoni i përfaqësuar nga Bekim Qoku.

Kryeministri Albin Kurti si dhe njerëz të rrethit të ngushtë të tij, si Arber Zaimi e Hysamedin Feraj, ishin përfshirë aktivisht në instrumentalizimin e këtij koalicioni dhe orientimin e tij kundër BDI-së.

Në emër të ndryshimeve në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Kurti nga zyra e tij, madje edhe në një tubim në Shkup, ia kishte bërë ‘aminin’ një koalicioni të tillë me pesë parti.

Megjithë këtë mbështetje, VLEN-i kishte rezultuar jo fort i pëlqyer për votuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Me vetëm 106,937 vota ose 10.92 për qind, ky koalicion pati një dallim të shënueshëm prej Frontit Evropian me 137,690 vota 14.06 për qind – që përbëhej nga BDI, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, PDSh, Lëvizja Populli, dy parti turke, një boshnjake dhe një rome.

Duke e thyer rregullin e pashkruar të formimit të qeverive në Maqedoni, partia fituese maqedonase VMRO-DPMNE zgjodhi për partner qeverisës koalicionin humbës, atë që ishte përkrahur me të madhe nga Kurti dhe Vetëvendosja.

Pas formimit të qeverisë së re, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte zhvilluar disa takime me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski – që në të vërtetë ishin nga takimet e pakta të tij me liderë rajonalë e të huaj.

Lajme të ngjashme