Ministrja Haxhiu kontestoi edhe institutin zviceran për vdekjen e Astrit Deharit: Ai u vra
Ka dy ditë që rasti i vdekjes në burg të Astrit Deharit, ish aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, është ritkhyer në qendër të vëmendjes. Kjo pasi Instituti zviceran ka dërguar një raport plotësues rreth dyshimeve nëse Dehari ishte vrarë apo kishte kryer vetëvrasje.
Raporti i Institutit zviceran me seli në Lozanë, i cili ishte lavdëruar nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka konstatuar se në analizat e AND-së nuk kanë treguar profil tjetër të AND-së përveç atij të Astrit Deharit.
“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali), nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në të.
Por, me këtë konstatim nuk është pajtuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila madje ka demantuar gjetjet e institutit që VV pretendonte të zbardhte rastin enigmatik të Deharit.
Për më shumë, Haxhiu ka goditur edhe Prokurorinë e Kosovës duke thënë se nëpërmjet komunikatës ka tentuar të manipolojë opinionin publike për raportin plotësues të institutit.
Duke folur për rastin, përkundër raportit plotësues, Haxhiu ka treguar se nuk ka ndryshuar qëndrim.
Për të, e si duket edhe për Vetëvendosjen, Astrit Dehari është vrarë.
“Patjetër që po(është vrasje). Nëqoftëse e vlerësoni rastin prej dje, janë kthyer të të gjitha prej fillimit. Prej raportit zviceran. Prej raporteve të dy ekspertëve të cilët ishin kërcënuar nga ish-ministrja Hoxha. Ata ndihen të rrezikuar të vijnë në Kosovë për shkak të atyre kërcënimeve. Prej atyre që ndodhen pas rastit. Vdekja e dëshmitarit kryesor. Janë të shumta elementet që të qojnë se Astriti është vrarë”, deklaroi ajo në KTV.
Haxhiu i ka dhënë një epitet të ri çështjes së Deharit duke e quajtur si rasti më i rëndë që nga pas lufta.
‘’Rasti Dehari është më i rëndi që nga koha e pasluftës dhe kurrë s’ka pasur vullnet që të trajtohet siç duhet ky rast ose të themi raportin plotësues të institutit zviceran. Nuk e kam pranuar atë raport nga instituti, por faktin se që nga ajo kohë, instituti zviceran ka ndërprerë komunikimin me Ministrinë e Drejtësisë. Por i njëjti ka mbërritur në prokurori dhe i njëjti është ndarë me familjen. Më lejo të shpreh shqetësimin tim se ende pa iu ndarë raporti familjes, prokuroria tenton që përmes një komunikate të shpalosë detaje”, tha Haxhiu në KTV.
Haxhiu i është ritkhyer çështjes së Deharit që nga fillimi i landës, duke thënë se ai ishte mbajtur në burg pa akuza e pa arsye.
Në këtë kontekst, e para e Ministrisë së Drejtësisë ka përmendur edhe një deklaratë të ish kreut të Kuvendit, Kadri Veseli.
“Ka pasur përpjekje të vazhdueshme që përmes arrestimeve të ndryshme të aktivistëve të VV-së, të cilat ua mveshnin sulmet që u bëheshin institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse sic e dini Astrit ishte arrestuar për këtë. Edhe pse nuk kishte fare prova. Kishte tendenca që VV të shpallet organizatë terroriste. I patëm dy anëtarë të AKI-së që u kishin ndërruar identitetin në mënyrë që të dëshmonin kundër VV-së dhe të lidhnin Albin Kurtin e Glauk Konjufcën me rastin “Syri i Popullit”. Donin të frikësonin qytetarët që kishin ndërmend të dilnin kundër projekteve që i bënin dëm vendit”, thotë ajo.
Çfarë tha Instituti Zviceran?
Siç njofton Prokuroria Speciale e Kosovës, raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe.
Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton:
“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”.
“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit”, thuhet në Raport.
Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit në raport thuhet se nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të riekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.
Ndërkaq, bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale thotë se do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.