Angazhimi i 20 ekspertëve: Ministria e Mjedisit shpall tender prej rreth gjysmë milioni eurosh në kundërshtim me ligjin
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), e cila udhëhiqet nga ministrja në detyrë Fitore Pacolli, ka shpallur një tender në vlerë prej 480 mijë eurosh për 20 ekspertë me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta (MShV), ose siç njihet ndryshe "Kontratë mbi Vepër", gjë që bie në kundërshtim me rregulloren e Prokurimit Publik si dhe duke anashkaluar Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), përmes shpalljes së këtij tenderi, është bazuar në një rregullore që është shfuqizuar në vitin 2022, duke anashkaluar Ligjin për Administratën Publike, pasi pozitat që Ministria e Pacollit ka hapur me tender, në vlerë prej gati gjysmë milioni eurosh, janë pozita që mbulohen përmes rekrutimit të rregullt sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, e jo përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV).

Duhet theksuar se edhe Komisioni Evropian e kishte përfshirë këtë si rekomandim dhe verejtje në raportin e vitit 2025, në Kapitullin numër 5 (Prokurimi Publik).
Megjithatë, kjo ministri ka vazhduar duke mos respektuar as rekomandimet dhe vërejtjet nga Komisioni Evropian në raportin e fundit, si dhe duke u bazuar në nene që janë shfuqizuar para tre(3) vitesh (data e shfuqizimit 01.11.02022).
Ndryshe, Rregullorja Nr. 002/2024 për Prokurimin Publik (neni 57.2) përcakton se kontraktorët individualë mund të angazhohen vetëm për ekspertizë specifike që nuk mund të sigurohet përmes procedurave të rregullta të rekrutimit në administratën publike.

Në rastin në fjalë, natyra e detyrave të përcaktuara nuk ka të bëjë me ekspertizë specifike, por me detyra të përhershme teknike-administrative.
Detaje nga tenderi:
Në dosjen e tenderit me numër 210-26-4238-2-1-1 thuhet se ekspertët janë të ndarë në nëntë (9) lote dhe parashihen të angazhohen për një periudhë deri në 24 muaj, me orar të plotë pune (40 orë në javë)./Nacionale

