Ministria e Mbrojtjes e konfirmon: Ushqimi i ushtarëve është përgatitur nga kuzhinierët e mensës dhe burgjeve
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ushqimi u është përgatitur nga kuzhinierës e Qendrës Studentore dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, Ministria ka thënë se “kuzhinat në kazerma po funksionojnë si çdo ditë”.
“Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional.
Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kahmotshëm.” – thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, siç ka raportuar Nacionale tash e disa ditë, e gjithë kjo situatë ka nisur me një vendim të zëvendësministrit Shemsi Syla dhe sekretarit të Ministrisë që tenderi për ushqimin e pjesëtarëve të FSK-së, të bëhet konfidencial.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, më pas ka rrëzuar këtë vendim. Tash FSK ka vendosur që të rekrutojë punëtorë/kuzhinjerë dhe ushqimi të përgatitet gjithmonë brenda.
Në dokumentin që e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale, shihet vendimi i ministrit Ejup Maqedonci.
Vendimi i marrë për klasifikimin e tenderit si konfidencial ishte nënshkruar me datë 10 maj 2024. Megjithatë, i njëjti ishte shfuqizuar sapo ministri Maqedonci ishte kthyer nga pushimi.
“Hiqet nga lista e projekteve për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë së MM-së për vitin 2024 projekti me nr.rendor 8 “Shërbimet me ushqim (përgatitje dhe servisim) në kazermat e FSK-së, dhe i njëjti kalon në procedura të rregullta sipas Ligjit të Prokurimit.” - thuhet në vendimin e ministrit të Mbrojtjes, të cilin e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale.
Nacionale për një javë ka pritur që këto dy vendime t’i dorëzohen gazetës zyrtarisht. Megjithatë, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, Ministria e Mbrojtjes e ka refuzuar kërkesën e Nacionales.
Megjithatë, Ministria nuk ka arritur t’i ndalojë sinjalizuesit që këtë vendim t’ia ofrojnë Nacionales në kushte anonimiteti.
Më tutje, vendimi thekson qartë se shfuqizohet vendimi paraprak me të cilin kjo kontratë ishte synuar të bëhet konfidenciale.
“Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi nr.pro 182 të datës 10.05.2024. Obligohet U.D Sekretari i Përgjithshëm dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës për zbatimin e këtij vendimit”, thuhet më tutje në vendimin me firmën e ministrit Maqedonci.
Ministria e Mbrojtjes ka mohuar të ketë pasur tendencë në përzgjedhjen e kompanisë fituese për këtë tender. Megjithatë, kontrata ende nuk është nënshkruar, përderisa marrëveshja e vjetër ka skaduar ditën e djeshme.
“Procesi i tenderit për furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës është një proces që nuk ka përfunduar, pra kontrata ende nuk është nënshkruar nga unë, është ende duke u zhvilluar vlerësim si në aspektin procedural dhe në apekte të tjera për këtë tender.” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka njoftuar për idenë e tij që po tenton ta bëjë lidhur me ushqimin për ushtarët e FSK-së.
Ai ka thënë se ka propozuar një koncept të ri por që nuk dihet saktësisht si do të jetë.
“Kurse çka është për t’u theksuar për herë të parë është që unë ka qëndruar një opsion, kam diskutuar me komandatin e FSK-së edhe me sekretarin e përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes që në të ardhmen FSK të ketë një koncept të ri të ushqimit me qëllim që të kemi një garanci për çmim më të lirë, për vetqëndrueshmëri dhe për siguri për këtë shërbime. Do të tentohet aq sa të mundemi të ndërtojmë kapacitete vetanake dhe të mosvarura nga akterët e jashtëm.”