Ministria e Jashtme e Francës: Dënojmë veprimet e njëanshme në veri, rrezik për përshkallëzim të tensioneve
Ministria e Jashtme e Francës ka reaguar me një komunikatë për media pas zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës.
Pasi u mbyllën disa njësi të Postës së Serbisë në veri, dhe paralajmërimeve për hapjen e Urës së Ibrit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur reagime të shumta.
Parisi zyrtar ka theksuar se veprimet e njëanshme të qeverisë, rrezikojnë normalizimin e raporteve.
“Franca dënon ashpër përhapjen e veprimeve të njëanshme të autoriteteve kosovare në veri të vendit, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb. Këto veprime rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve”, thuhet në reagim.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Francës, në këtë formë, rrezikohet edhe përshkallëzimi në tensione të reja.
“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm, i cili do të përshkallëzonte më tej tensionet. Ai inkurajon të dyja palët që të kthehen në tryezën e negociatave, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes Bruksel-Ohër”, thuhet në reagim.
Për mbylljen e postave në veri si dhe për hapjen e Urës së Ibrit, komuniteti ndërkombëtar kanë dalur fuqishëm kundër.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten e kaluar se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.
Ai i bëri këto komente pas një takimi të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë", tha Hovenier për gazetarë pas takimit.
Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, Kurti tha se "ura duhet të hapet".
Reagime pati edhe për aksionin ku u mbyllën disa filiale të Postës në veri.
BE i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut me Serbinë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ndau deklaratën e plotë në “X” duke komentuar se “veprime të tilla nuk mund të ofrojnë zgjidhje për asnjë çështje që i përket Dialogut”.
“Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut. Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës. BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut. BE pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti. I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Reagim i menjëhershëm erdhi edhe nga Ambasada e Amerikës në Kosovë është deklaruar kundër mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës. Ambasada e SHBA thotë se ky “veprim i njënashëm dhe i pakoordinuar vë në rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR-it”.