Ministria e Financave dhe Banka Gjermane për Zhvillim nënshkruajnë marrëveshje 13.2 milionë euro për rehabilitimin e ujërave të zeza
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Kompania rajonale e Ujësjellësit Prishtina sot kanë nënshkruar marrëveshje me Bankën Gjermane për Zhvillim për rehabilitimin e ujërave të zeza.
Marrëveshja ka vlerën e 13,2 milionë eurove.
Ujdia në mes të dy vendeve është arritur në kuadër të Projektit “Përshtatja e Zhvillimit Urban me Kushtet Klimatike dhe Menaxhimi i Ujërave të Zeza në Prishtinë”.
“Mbështetja financiare e nënshkruar sot i shtohet marrëveshjes fillestare të grantit me vlerë 28.8 milionë euro e nënshkruar në dhjetor të vitit 2022 duke e bërë vlerën totale të grantit 42 milionë euro. Qëllimi kryesor i projektit është përmirësimi i infrastrukturës së ujërave të zeza me synim garantimin e cilësisë së ujit dhe përmirësimin e shërbimeve publike të cilat u ofrohen qytetarëve të Kosovës. Projekti ndër të tjera siguron se zhvillimi urban në Kosovë realizohet në përshtatshmëri me ndryshimet klimatike dhe standardet ndërkombëtare për cilësinë e ujit”, është thënë në njoftimin për media të Ministrisë së Financave.
Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit, sipas njoftimit, të dyja palët kanë shprehur përkushtimin për zbatimin e projekteve aktuale si dhe thellimin e mundësive të bashkëpunimit në të ardhmen.