Ministri i Mbrojtjes i përgjigjet Vuçiqit: “Bajraktarët” fluturojnë për testim, jo për t’i vëzhguar shtetet fqinje
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka demantuar pretendimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se dronët “Bayraktar” të Kosovës kanë vëzhguar bazat ushtarake të Serbisë.
Në një intervistë për “Tëvë1”, ai citohet të ketë thënë se dronët fluturojnë në qiellin e Kosovës për testim, jo për të vëzhguar ndonjë shtet fqinj.
“Absolutisht, është e pasaktë kjo deklaratë e presidentit Vuçiq. Kapacitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të fokusuara në ndërtimin e elementëve për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit tonë. Në këtë aspekt edhe dronët ‘Bayraktar’ si pjesë e sistemit të armatimit… i inventarit të FSK-së është pjesë përbërëse e njësive operacionale të FSK-së dhe ne në kuadër të FSK-së kemi njësinë e sistemeve ajrore pa pilotë që kryen operim me dronët “Bayraktar” dhe normalisht që operimi i tyre bëhet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pa pasur synim vëzhgimin e asnjë vendi fqinj dhe pa pasur synim shkeljen e hapësirës ajrore të asnjë vendi. Normalisht bazuar në planin e operimit këta dronë fluturojnë në qiellin e Kosovës gjithmonë pra me synimin që të testohen, të operohet me ta me qëllim të vëzhgimit të terrenit në Republikën e Kosovës.” – ka thënë ai.
Ai tutje ka folur edhe për rrezikun nga një sulm pas atij të 24 shtatorit:
“Është thënë nga institucionet tona disa herë që vetë mosndëshkimi i grupit të Radoiçiqit dhe grupeve të tjera kriminale dhe terroriste që kanë operuar në veri të vendit dhe që kanë tentuar aneksimin e territorit të Republikës së Kosovës më datë 24 shtator, pra vetë mosndëshkimi i tyre paraqet rrezik, pra prezenca e tyre në Serbi, organizimi i tyre edhe funksioni i tyre brenda territorit të Serbisë gjithmonë të mbështetur nga strukturat e Republikës së Serbisë. Pra, derisa Serbia nuk distancohet nga veprimet që ka marrë ky grup, nuk merr masa për këto veprime atëherë rreziku ekziston”.
Çka tha Vuçiq?
Presidenti serb po pretendon se “bajraktarët” kanë fluturuar së fundi me qëllimin për t’i zbuluar pozicionet e ushtrisë serbe.
Siç citohet të ketë thënë ai tutje, “po të ishte ndonjë kohë tjetër, nuk do të qëndronin gjatë në ajër”.
“I kemi shikuar si pëllëmbën e dorës dhe po të ishte ndonjë kohë tjetër nuk do të qëndronin gjatë në ajër, pasi është hapësira ajrore nën kontrollin e KFOR-it, ne e respektojmë hapësirën e KFOR-it, ata po bëjnë punën e tyre, ne po bëjmë tonën.” – citohet se ka thënë ai.
Presidenti serb foli edhe dje për këtë:
“Vuçiqi ka treguar gjithashtu se “bajraktarët” shqiptarë janë vërejtur duke u ngritur nga drejtimi i Gjakovës më 5 dhe 20 qershor në lartësinë 5800 metra me qëllim të zbulimit të pozicionit të ushtrisë serbe.” – thuhej në raportimet e mediave serbe.