“Ministre, a ia japim fjalën opozitës”, “S’lëvizi pa e kryer fjalën” – përplasja e Konjufcës dhe Haxhiut - NACIONALE

“Ministre, a ia japim fjalën opozitës”, “S’lëvizi pa e kryer fjalën” – përplasja e Konjufcës dhe Haxhiut

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përveç përplasjes së fortë mes pozitës dhe opozitës, në seancën e sotme është parë edhe një përplasje e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Derisa kjo e fundit në foltore të Kuvendit përmendi raportim e Fredom House, i cili flet për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, ka nxitur reagimin e opozitës.

Në kohën kur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kërkonte fjalën për replikë, kryeparlamentari ia kishte dhënë fjalën ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.

Në këtë moment, deputetët e opozitës filluan t’i godasin tavolinat me gota dhe duar.

Nën zhurmën që dëgjohej në sallë, kryeparlamentari Glauk Konjufca kërkoi mirëkuptimin e ministres që t'ia lë radhën opozitës. “Ministre me mirëkuptimin tuaj, a ia japim fjalën opozitës, pastaj...”, ka thënë Konjufca.

Por, ministrja ka refuzuar në mënyrë kategorike.

Ajo është kthyer kah Konjufca, duke kundërshtuar atë. “Unë e kam fjalën time kryetar dhe nuk lëvizi pa e krye fjalën time”, ka qenë përgjigja e Haxhiut.

Ndërsa kryetari i Kuvendit ka thënë se nga situata e krijuar nuk do të mund të vazhdojë seanca. “Ministre, a ka mundësi të uleni”, ka insistuar Konjufca.

Më pas, ministrja ka shkuar te kryeparlamentari për t’u sqaruar, por ky i fundit e ka injoruar, duke mos u marrë fare me të.

Duke e parë situatën, ministrja është tërhequr, duke u ulur në vendin e saj.

Situata e krijuar gjatë seancës se sotme kishte nxitur përplasje të forta edhe në mes të opozitës dhe pozitës.

Tensionet e krijuara kanë bërë që shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, t’i shajë me robë deputetët e LV-së.

Më pas, Tahiri ka tërhequr fjalën dhe ka kërkuar falje. “Në asnjë rrethanë nuk kam menduar, as nuk e shaj asnjë deputet, në qoftë se ka qenë në afekt për shkak të situatës, në asnjë rrethanë t’i drejtohem ashtu, asnjë deputeti”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, paraprakisht, ministrja Haxhiu kishte mbrojtur ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është përfshirë në një aferë financiare në Slloveni.

Ajo ka deklaruar se sulmet ndaj ambasadorit kanë pasur të bëjnë me garën zgjedhore në Slloveni.

“Berishaj do t’i përgjigjet secilës kërkesë që institucionet e Kosovës, apo ato në Slloveni apo Kroaci i drejtojnë. Siç jeni në dijeni, edhe AKK ka nisur hetimet në raport me deklarimin e pasurisë dhe prisni qëndrimet e institucioneve të Kosovës në raport me këtë çështje. Unë jam e bindur se po të kishin dyshime, normalisht që prokuroria do t’i niste hetimet duke e njohur Slloveninë dhe duke e njohur që nuk është shtet dosido”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka deklaruar se për të më i rëndësishëm është raporti i Fredom House, ku përmendet ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, se raportimi i Planet TV për skandalin e ambasadorit.

Ajo ka bërë me dije se komisioni hetimor për energjinë, i cili pritet të formohet nga Kuvendi, do të merret edhe me rastin e ambasadorit Berishaj.

“Për mua më i rëndësishëm është raporti i Fredom House se i Planet TV, e them me zë të lartë. Siç duhet të zbardhen të gjeturat e Planet TV-së, duhet të zbardhen edhe të gjeturat e Fredom House. Askush nuk do të amnistohet me këtë qeveri. Të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit”, ka thënë Haxhiu.

Lajme të ngjashme