Ministrat e Kurtit që "s'e imagjinojnë korrupsionin" të ulur në bankën e të akuzuarve për dyshime korrupsioni masiv
Me më shumë se pesë vjet në pushtet, alibitë e 'trashëgimisë së keqe' janë ezauruar prej kohësh. Qeveria Kurti II po përballet me pasqyrën e punëve të veta: nga aktakuza me dyshime për shkelje flagrante të detyrave zyrtare në rastin e dallavereve me rezervat shtetërore, te raportet ndërkombëtare, si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit që theksojnë “korrupsion serioz qeveritar”, e deri te korrupsioni publik në dritë të diellit, ku buxheti i shtetit u shndërrua në instrument për blerjen e votave përmes shpërndarjes së parave në prag të zgjedhjeve.
Përballë këtij realiteti, Kryeministri në deyrë Albin Kurti shfrytëzoi Forumin Ekonomik Botëror për t’i prezantuar Rory Stewart-it një narrativë të tij, fund e krye paralele në raport me gravitetin e situatës në pesë vitet e fundit në Kosovë.
Kurti këmbënguli se ministrat e tij janë aq të pastër saqë korrupsionin 'nuk e kanë as në imagjinatë', pikërisht në kohën kur ministrja e tij, Rozeta Hajdari, po ulet në bankën e të akuzuarve për skandalin milionësh të rezervave shtetërore.
“Kemi trashëguar një situatë ku korrupsioni ishte endemik. Dhe ka një rezistencë dhe qëndresë të madhe tek njerëzit për të mos u kthyer kurrë më aty. Pra, shpresa jonë janë njerëzit. Që njerëzit do të informojnë sistemin dhe publikun për çfarëdo korrupsioni që hasin. E dyta është se ne duhet të udhëheqim me shembull.”
“Është tejet e rëndësishme që askush, absolutisht askush brenda kabineteve të ministrave, të mos ketë as imagjinatën më të vogël për t'u përfshirë në ndonjë lloj korrupsioni. Pra, ne duhet të jetojmë me shembull. Gjithashtu, Kosova është një vend mjaft i monitoruar nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe nga sistemi ynë. Kështu që unë besoj se llogaridhënia do të jetë në vend dhe sinjalizuesit do të na shurdhojnë me fërshëllima nëse do të ndodhë ndonjë gjë e ngjashme me korrupsionin që përmendët.” – tha Kurti.
Javën e kaluar ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me Irfan Lipovicën, Hafiz Garën e Ridvan Muharremin, dolën para Gjykatës si të dyshuar për dallavere me rezervat shtetërore. Ata po akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Në anën tjetër, janë pikërisht raportet e DASH-it – ende referenca kryesore e Kurtit për të sulmuar 'korrupsionin endemik' të së kaluarës – ato që sot rrëzojnë narratvin e 'qeverisë së pastër'.
Në kontrast të thellë me vitet 2019-2020, raportet e tre viteve të fundit (2021-2023) kanë ashpërsuar gjuhën, duke e etiketuar qeverisjen aktuale me termin e rëndë: 'Korrupsion serioz qeveritar'.
“Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për: probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve; korrupsion serioz qeveritar; dhunë e gjerë me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje ose nga partneri intim; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë që synojnë pakicat etnike ose komunitetet e tjera të margjinalizuara. Qeveria ndërmori hapa të besueshëm, por jokonsistent për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.