Milo Gjukanoviqi e paraqet kandidaturën për mandatin e tretë si president i Malit të Zi - NACIONALE

Milo Gjukanoviqi e paraqet kandidaturën për mandatin e tretë si president i Malit të Zi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Milo Gjukanoviqi, president aktual i Malit të Zi dhe figurë që ka mbajtur pozita të larta politike në vendin fqinj për të paktën tri dekada, të shtunën e paraqiti kandidaturën e tij për mandatin e tretë për president në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Zgjedhjet e 19 marsit do të mbahen në kohën kur vendi është përfshirë nga një ngërç njëvjeçar politik, i shënuar nga mocionet e mosbesimit në dy qeveri dhe një mosmarrëveshje mes deputetëve dhe Gjukanoviqit për caktimin e një figure për kryeministër, raporton agjencia “Reuters”.

Përgjatë viteve, Mali i Zi ka qenë i ndarë mes atyre që identifikohen si malazias dhe atyre që e shohin veten si serbë dhe e kundërshtojnë pavarësinë e shtetit nga një ish-union me Serbinë fqinje.

Zyra e presidentit ka rol kryesisht ceremonial në Malin e Zi, por një fitore e Gjukanoviqit do të mund të shkaktonte zgjedhje të parakohshme pas zgjedhjeve presidenciale, sepse ai deri më tani i ka refuzuar kandidatët për detyrën e kryeministrit.

“Po hyj në garën zgjedhore me qëllimin për të fituar shpejt dhe bindshëm”- tha Gjukanoviqi, i cili e drejton Partinë Demokratike të Socialistëve.

“Mali i Zi është paralizuar tërësisht në rrugën e tij evropiane dhe kjo agoni duhet të ndalet sa më shpejt që është e mundshme”- shtoi politikani që e kishte udhëhequr vendin drejt pavarësisë më 2006, e ka siguruar anëtarësimin e shtetit të tij në NATO dhe e ka vënë në rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kundërshtarët politikë i akuzojnë Gjukanoviqin dhe partinë e tij për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe për qeverisjen e vendit me rreth 620 mijë banorë si çiflig personal – akuza që Gjukanoviqi dhe partia e tij i mohojnë.

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve tashmë i ka miratuar kandidaturat e Andrija Mandiqit nga partia e serbëve, Demokracia e Re Serbe, dhe Draginja Vuksanoviq Stankoviqit nga Partia Socialdemokrate.

Lajme të ngjashme