A mund të realizohet parashikimi i Millosheviqit për Veton Surroin? - NACIONALE

A mund të realizohet parashikimi i Millosheviqit për Veton Surroin?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Publicisti Veton Surroi nuk është thjesht një profil në Twitter që replikon me Petrit Selimin në mbrojtje të kryeministrit Kurti. Në fakt, ai ka përveç tjerash edhe karrierë si politikan, e paraprakisht edhe si negociator dhe për të cilin e kishte dhënë një parashikim... Millosheviqi. A mund të realizohet ky parashikim?

Surroi e përshkruan veten në Twitter si “Themelues i Grupit Koha Mediu, negociator për paqen dhe pavarësinë e Kosovës, gazetar dhe shkrimtar”.

Në vitin 1999, Surroi ishte pjesë e ekipit negociator të Kosovës në Rambouillet. Por, edhe paraprakisht gjatë kohës së luftës ai merrej si një prej personave më të rëndësishëm në vend. Se si mund ta gjejë veten një gazetar si pjesë të një ekipi negociator, për gjeneratat e reja të gazetarëve mund të duket krejtësisht e pakuptueshme. Por, dikur rrethanat ishin më ndryshe.

Dhe, duket se për të kishte mendim edhe i ashtuquajturi “Kasap i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.

Parashikimi

Në bazë të librit “Biseda me Millosheviqin” (Conversations with Milosevic) shkruar nga z. Ivor Roberts – dikur edhe ambasador i Britanisë në Itali, Irlandë e ish-Jugosllavi – Millosheviq e shihte Surroin si “kryeministër të ardhshëm të Kosovës”.

Ai shpjegon një zhvillim të rëndësishëm që po ndodhte në Kosovë. Ish-presideti Ibrahim Rugova po kërkonte që forcat serbe të sigurisë të largoheshin nga Kosova.

“Pa tërheqjen e forcave, Rugova dhe negociatorët e tij nuk do ta kishin mbështjetjen e nevojshme politike për të hyrë në dialog. Ata veçse e kishin marrë një rrezik të madh substancial fizik e politik në takimin me Millosheviqin,” – shkruante z. Roberts.

Më pas, përmend fjalët e Millosheviqit për Veton Surroin:

“Millosheviqi bëri pak potere pozitive për takimin dhe përmendi Veton Surroin (redaktor në gazetën kryesore në Kosovë) në veçanti si kryeministër të ardhshëm të Kosovës në vend të Bukoshit.”

Vlen të përmendim se Surroi ka qenë edhe dëshmitar kundër Millosheviqit në Tribunalin e Hagës.

Surroi dhe pushteti

Surroi në fakt, përgjatë gjithë periudhës së pasluftës nuk ka qenë asnjëherë më afër pushtetit. Aktualisht, vajza e tij u punësua si këshilltare politike për media ndërkombëtare në Zyrë të Kryeministrit. Ndërsa, ai vetë po synon të bëhet Sekretar Gjeneral i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) që aktualisht okupohet nga Majlinda Bregu. Megjithatë, edhe nëse ia del mbanë me ndihmën e Qeverisë Kurti, kjo është shumë shumë larg parashikimit të Millosheviqit.

Publicisti kosovar kishte pasur edhe karrierë politike. Ai ishte themelues dhe drejtues i Partisë Ora, që në zgjedhjet e para-pavarësisë të vitit 2007 nuk kishte arritur ta kalonte pragun. Pra, Surroi ishte Fatmir Limaj i viteve 2000, në kohën kur Fatmir Limaj dukej si Glauk Konjufca i sotëm.

Megjithatë, karriera e tij duket se nuk do të përfundojë këtu. Surroi është ende vetëm 61 ose 62 vjeçar dhe gjërat duket se po shkojnë në të mirë të tij nën Qeverinë Kurti.

Lajme të ngjashme