Milatoviq: I thamë lamtumirë regjimit të vjetër, do ta sjellim Malin e Zi në BE
Rezultatet preliminare në Mal të Zi kanë treguar se kandidati Jakov Milatoviq po prin bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Sonte është nata që e kemi pritur për më shumë se 30 vjet, tha një nga liderët e Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Milatoviq, pas fitores ndaj kandidatit të DPS-së, Milo Gjukanoviq në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, raporton Vijesti.
Milatoviq tha se Mali i Zi sonte bëri një hap përpara dhe “i tha lamtumirë regjimit të vjetëruar të Gjukanoviqit” dhe bëri një hap drejt një Mali të Zi më të mirë evropian.
"E shihni forcën e Malit të Zi të përbashkët. Prandaj kjo fitore është kaq e madhe dhe kaq historike. I thamë lamtumirë krimit dhe korrupsionit. Kjo është një ditë historike për të gjithë, i ftoj të gjithë të festojmë me dinjitet." - ka thënë ai.
Milatoviq tha se premton të jetë president i të gjithë qytetarëve.
"Në pesë vitet e ardhshme, ne do ta sjellim Malin e Zi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, kurrë nuk do të vijnë më konflikte nga Mali i Zi ndaj ndonjë vendi të Ballkanit Perëndimor dhe fqinjëve tanë. Ne duam unitet, harmoni dhe përparim në Ballkanin Perëndimor evropian." - ka thënë Milatoviq.