"Mik i vjetër i mirë": Putini thur lavde për presidentin kinez para mbërritjes së tij në Moskë
Vladimir Putin ka lavdëruar “mikun e vjetër e të mirë” Xi Jinping në një artikull gazete të publikuar në Kinë në prag të vizitës shtetërore nga presidenti kinez që pritet të riafirmojë lidhjet e forta të liderëve.
Dy liderët, që besohet se kanë edhe marrëdhënie të fortë personale, do të takohen me njëri-tjetrin gjatë ditës së sotme (e hënë), dhe më pas do të kenë edhe një drekë informale, ka thënë zëdhënësi i Putinit Dmitry Peskov, raporton The Guardian.
Në një artikull të shkruar për një gazetë kineze të dielen, Putini mirëpriti gatishmërinë e Kinës për të luajtur atë që e cilësoi si “rol konstruktiv” në zgjidhjen e “krizës” së Ukrainës.
Presidenti rus e quajti Xi-në “mik të vjetër e të mirë” dhe u shpreh se Rusia kishte pasur shpresa të mëdha për vizitën e tij, e para e liderit kinez prej që Putini e nisi invazionin e tij në Ukrainë vitin e kaluar.
Në artikull, Putini tha: “Jemi mirënjohës për vijën e balancuar të (Kinës) në lidhje me ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë, për mirëkuptimin e historisë dhe shkaqeve të vërteta. Ne mirëpresim gatishmërinë e Kinës për të luajtur rol konstruktiv në zgjidhjen e krizës.”
Xi-ja në këmbim e publikoi një artikull në Rossiskaya Gazeta, një gazetë e përditshme e qeverisë ruse, ku bëri thirrje për ‘pragmatizëm’ në Ukrainë.
Ai tha që propozimi i Kinës, një dokument 12-pikësh i publikuar muajin e kaluar dhe gjerësisht i refuzuar nga perëndimi, paraqiste “për aq sa ishte e mundur një unitet të pikëpamjeve të komunitetit botëror”.
Xi-ja tha që udhëtimi i tij drejt Rusisë kishte për synim të forconte lidhjet mes dy shteteve.
“Nuk ka model univerzal të qeverisjes dhe nuk ka rend botëror ku fjala vendimtare i takon një shteti të vetëm,” – kishte shkruar z. Xi.
Analistët thonë që vizita e Xi-së është e rëndësishme për Moskën.
“Kina është larg aleati më i rëndësishëm i Rusisë,” – tha Alexander Gabuev, ekspert i raporteve të Rusisë me Kinën.
“Që Xi-ja, lideri i shtetit të dytë më të fuqishëm në botë, është i gatshëm të vizitojë Moskën gjatë luftës në Ukrainë përbën një akt shumë simbolik,” – vazhdoi tutje ai.
Vizita vjen vetëm tri ditë pasi Putini u bë subjekt i një fletë-arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
