Migrim apo ikje? - NACIONALE

Migrim apo ikje?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Migrimi ose ndryshimi i përhershëm i vendbanimit është fenomen i vjetër aq sa edhe njeriu. Ndonëse në trajta ose rrethana tjera, migrimi e ka përcjellë jetën njerëzore, edhe pas adaptimit të modelit post-nomad të të jetuarit. Rrjedhimisht, njerëzit migronin, megjithëse jeta e tyre tashmë ishte themeluar në kuptimin vendosjes lokale.

Kështu, edhe Kosova si vendbanim ka një historik të migrimeve, që ka arritur përmasa të dyndjeve, sociologjikisht të studiueshme në gjysëm-shekullin e fundit. Vështruar nga një këndvështrim i përgjithshëm, ky historik migrimesh kosovare në periudhën gjatë gjysëm-shekullit të fundit, mund të ndahet në tri valë të mëdha.

Së pari, faza e parë e këtyre migrimeve filloi në dekadën e fundit të shekullit 20. Dallga e dytë migruese, filloi gjatë periudhës së pas-luftës, ose periudhës së paqartësisë së statusit politik. Krejt në fund, valës së tretë miguese, i takojnë largimet masive përgjatë periudhës së pavarësisë – kësaj bashkëkohore, rrymë kjo e fuqishme edhe sot.

Afërmendsh, një fakt duhet të mbetet në mend, secila nga këto dallga janë thelbësisht politike.

Vala e parë migruese shfaqet gjatë viteve të 90-ta, në rrethana të përndjekjes kolektive. Filozofi i njohur shqiptar, Muhamedin Kullashi, në librin e tij, ‘Përplasja e Identiteteve’, kujton këtë periudhë si një epokë apartheidi, që përfundoi me ikje masive. Njeriut të përndjekur, për atë që është, ikja i ofron shpëtimin. Në këtë formë, në bazë të shumë vlerësimeve joformale, migrimet e kësaj faze, të shkaktuara nga rrethana të vështira të asaj dekade, detyruan largimin nga Kosova, të afërsisht rreth 300 mijë njerëzve. Në një ndjekje të tillë, në masë, demografia arriti të zbuste këta numra të mëdhenj ikjeje.

Ndryshe nga pritshmëritë ekzistuese, edhe paqja e paperspektivë e ofuar nga administrata ndërkombëtare në periudhën e pasluftës, prodhoi një valë të re migrimi. Duke u shprehur numerikisht, numrat e kësaj vale, janë të pakrahasueshëm me të të parës – megjithëqë, largimet edhe gjatë kësaj faze shpërfaqin një domethënie të rëndësishme.

Paradoksalisht, Kosova - tashmë Republikë e ‘mëvetshme, prodhoi fazën e tretë migruese, me numrat që shënjojnë kulmin e fenomenit. Gjendja prej republike të lirë, sikurse dëshmoi kontradiktën e lirisë – shpërfaqi atë përgjegjësi që Eduardo Galleano ia ngarkon lirisë. Republika e lirë që po boshatiset tani në një fazë të tretë migruese, vjen si treguese e lirisë, si një gjendje vështirë e menaxhueshme.

Numrat nga dokumentet ekzisutese janë moral-shkatërrues. Supozohet se në mes viteve 2008-2018, kanë migruar mbi 250 mijë njerëz, ose shprehur historikisht, kanë migurar në një numër të përafërt me atë që kosovarët e mbajnë si epokë pushtimi, atë të valës së parë migruese. Madje, këtë krahasim njëherë e kishte sjellë edhe Albin Kurti, asokohe si një lider opozitar.

Nëpëmjet një lloj migrimi tashmë legal, këta numra vetëm po përjetojnë rritje të vazhdueshme, ku afërsisht 50 mijë njerëz kërkojnë viza vetëm nga ambasada gjermane. Ndërsa vala e ikjeve po vazhdon, zëvendës-kryeministri i parë, Besnik Bislimi, deklaroi se ky fenomen tashmë është fenomen global, rrjedhimisht i pandalshëm, pasi siç deklaroi ai, “ndërsa mjekët kosovarë po largohen për në Gjermani, mjekët gjermanë po largohen nga vendi i tyre po ashtu”.

Mirëpo, situata qëndron ndryshe, meqenëqë largimi i mjekëve kosovarë, nuk vjen në rrethana të plota mirëqenieje e as si vendim për njohje të vendeve e kulturave të reja, të bazuar kryesisht, në kurreshtje njeriu. Kësisoj, fjala e zyrtarit në fjalë, shmang një analizë kontekstuale të domosdoshme të fakteve.

Veç kësaj, largimi nga Kosova, tanimë nuk është i kufizuar në ndonjë kategori, e as nuk është i ngushtuar në fenomenin e ikjes së trurit. Për arsye të nduarndurshme, Kosova tashmë po eksporton punëtorë të administratave ose këmishëbardhë, punëtorë të industrive të rënda, staf ndihmës mjekësor, ndërtimor, dhe doktorë e specialistë të ndryshëm të fushës së shkencave shoqërore. Shprehur drejt, Kosova po eksporton njerëz të pakënaqur gjithandej botës, derisa politikanët e saj justifikojnë në interesin e tyre.

Kësisoj, ikja e pjesëtarëve të çdo kategorie, vjen si rezultat i shkaktuar drejtpërdrejt nga gjendja e vështirë shoqërore. Rrjedhshëm, migrimi ynë i ngjan braktisjes së vendit. Prandaj, është jetike për të sfiduar këtë gjendje, që pikësëpari, kjo temë të largohet nga artikulimi i brendshëm, në kuptim të përdorimit të kësaj gjendjeje shqetësuese, për argumentimin politik kundër qeverisë, siç rëndom bënte Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës së qëndrimit në opozitë.

Për më tepër, përballë kësaj gjendjeje që muajt e fundit në Kosovë është shndërruar në një ikje masive, institucionet e Kosovës duhet të organizohen me strategji të ndalimit të saj. Kjo strategji duhet të përvijojë politika të gjithëmbarshme, të cilat, sfidojnë gjendjen e përgjithshme që shtyn njerëzit deri te marrja e atij vendimi, rrjedhshëm të adaptojë qasje e cila transformon gjendjen shoqërore e politike të vendit dhe që nxit qëndrimin e qytetarëve, duke ndikuar në mirëqenien e jetës së tyre.

Lajme të ngjashme