Mickoski merret me Ahmetin, por qeverinë e ka kërsh
Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE i ka dhënë dritë të gjelbër kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski që të caktojë emra të rinj në vendet e lëna bosh pas tërheqjes së Aleancës për Shqiptarët.
Mickoski, i cili është edhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, ka bërë me dije se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv ka marrë lejen që të emërojë emra të rinj në portofolet qeveritare, përcjell Nacionale.
“Ata do të zëvendësojnë emrat e atyre nga partia e Arben Taravarit që vendosën të shkojnë në krahët e Ali Ahmetit dhe BDI-së”, ka thënë
Mickoski.
Por, me këtë rast, ai nuk ka dhënë hollësi për emrat e rinj dhe as për rotacionin e portofoleve.
I pyetur nga gazetarët nëse vendet e lëna bosh nga Taravari do t’i mbeten VLEN-it apo do të ndahen, Mickoski iu përgjigj duke thënë se shumë gjëra do të qartësohen në ditët në vijim, duke bërë thirrje për durim e duke shprehur besimin se do të arrihet një marrëveshje.
Ndërkohë, sipas mediumit maqedonas ‘Sitel’, ministrja aktuale e Arsimit Vesna Janevska, këshilltari kryeministror për Shëndetësi, Risto Simenov, dhe drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor Sasho Klekovski janë në mesin e emrave të përmendur për postin e ministrit të Shëndetësisë.
Emra të tjerë që janë përfolur për këtë post janë edhe drejtorë aktualë ose të dikurshëm të klinikave spitalore, por ende mbetet e paqartë nëse Ministria e Shëndetësisë do të udhëhiqet nga VMRO-DPMNE apo nga koalicioni VLEN.
Burime të cituara nga ky medium maqedonas kanë thënë se nëse Shëndetësia do t’i takonte VLEN-it, atëherë opsioni i parë ka qenë Bekim Sali nga Alternativa. Por, kjo nuk është shtyrë më tej për shkak se ai është zgjedhur deputet dhe largimi i tij nga Kuvendi do t’i dobësonte numrat e VLEN-it.
Burime të tjera kanë thënë se VLEN-i po shqyrton për këtë post edhe Samir Isenin e Alternativës, ekonomist me profesion, i cili është drejtor i Qendrës Shëndetësore në Shkup. /NACIONALE/