Meta i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë: Do të shkoj kudo që më thërrasin, s’kam asnjë shqetësim nga drejtësia
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka mohuar se ka ndonjë fletëthirrje nga SPAK.
Ai është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë kurdo që e thërrasin.
Në një konferencë për media, Meta ka thënë se nuk ka asnjë shqetësim nga drejtësia.
“Këto janë lajme tërësisht banale sepse janë të gjitha pa asnjë përmbajtje, pa asnjë materie, janë tema shumë të lodhura dhe po kështu nuk përbën asnjë lajm fakti që Ilir Meta të shkojë tek SPAK sepse ka qenë gjithmonë dhe ky është një dallim i plotë i Metës. Kam qenë në SPAK si këllëzues me letra, dokumente, kurrë nuk jam thirrur si kallëzues, ai ka qenë interesi i tyre. Kam qenë edhe si person në dijeni dhe do të shkoj kudo që të më thërrasin sepse nuk kam asnjë shqetësim nga drejtësia, sepse nuk ka asnjë akt të nënshkruar nga Ilir Meta “fap e far”, çështje të tilla nuk ekzistojnë. Kam treguar se kush e respekton ligjin dhe kush e shkel atë”, ka thënë Meta.
Ai ka treguar se pse ka munguar në jetën publike në javët e fundit.
Sipas tij, mungesa e tij në jetën publike ka qenë për çështje shëndetësore.
“Unë për hir të së vërtetës, gjatë këtyre 2-3 javëve për disa arsye të çështje të shëndetit nuk kam qenë i angazhuar publikisht, unë dua të ju them me bindje të plotë se duhet të ruajmë kujtesën në mënyrë që të jemi të vërtetë dhe kujtesa është që reforma u miratua me 140 vota, por reforma u shndërrua në Rama-formë sepse çdo gjë u bë në kundërshtim me Kushtetutën dhe do jua them pa u lodhur. Prokurori i Përgjithshëm u zëvendësua me 69 vota. A e harruat gjyqtaren që u betua tek Lana? Gjykata Kushtetuese u kërkon qeverisë dhe jo Parlamentit kur ka ndonjë kërkesë sepse ka lidhje direkte me qeverinë. Kjo është situata me sistemin e drejtësisë”, ka thënë Meta.