Mësymja e pushtetit ndaj RTK-së: Pas drejtorit, cak bëhet redaktorja që u përplas me Dimal Bashën në emision - NACIONALE

Mësymja e pushtetit ndaj RTK-së: Pas drejtorit, cak bëhet redaktorja që u përplas me Dimal Bashën në emision

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dorëheqja e drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, e cila sipas tij, erdhi pas presioneve politike, nuk e ka ndalur mësymjen e partisë në pushtet ndaj televizionit publik.

Kësaj radhe, sulmi u adresua për renditjen e kronikave në edicionin qendror të lajmeve një ditë më parë.

Pushteti, zyrtarë të ndryshëm të tij, u hatëruan pse RTK-ja e shfaqi kah fundi i edicionit vendimin e qeverisë për rritjen e shtesave të fëmijëve.

Në një ditë me shumë zhvillime në aspektin e sigurisë, vrasjes së policit në Serbi, të dyshuarin që e kreu krimin që u arratis nga burgjet e Kosovës, duket se bënë që kronika për rritjen e shtesave të jetë rreth minutës 25 të edicionit të lajmeve.

Kjo i revoltoi zyrtarët e pushtetit si Avni Zogiani e deputetin Dimal Basha.

Mbase rastësi, mbase jo, redaktore e edicionit të natës së kaluar në RTK ishte gazetarja Blerta Foniqi-Kabashi. Gazetarja e cila ishte përplasur keq me Dimal Bashën LIVE në emision, pasi i njëjti kishte krahasuart RTK-në me RTS-në e Serbisë, dhe tentonte të tregonte si të bëhen pyetjet.

Reagimi i Dimal Bashës në një mënyrë, tentonte të tregonte se nuk e kanë kapur televizionin publik. Përderisa, drejtorin e ‘detyrojnë’ të jap dorëheqje, e në anën tjetër aktivisti i tyre është drejtor i Televizionit. Fjala është për Rilind Gërvalla.

“Lajmet qëndrore filluan në 19:30, kurse iu deshtë RTK-së në 19:55 ta bëj lajm rritjen e shtesave për fëmijë! Pra lajmi kryesor i ditës transmetohet në fund të lajmeve qendrore! Keni mundur ta shtyni edhe për nesër! Nuk pres që t7 apo Klan Kosova ta bëj lajm kryesor, mirëpo transmetuesi publik do duhej të vlerësonte më mirë se çka përbën interes për qytetarët, e po besoj lajmi për shtesat e fëmijëve do duhej të ishte njëri ndër ta!”, ka shkruar Dimal Basha.

Një reagim të ngjashëm e bëri Avni Zogiani, zv/ministër i Financave.

“Lajmin kryesor te dites, ate te shtesave per femjet, Televizioni publik e nxer ne bisht te lajmeve... Jo VV po e kontrollon RTK-ne, thone keta "aktivistet e lirise se shtypit"!”, ka shkruar ai, duke tentuar të propagandojë se nuk e kontrollojnë televizionin publik. E kur ai të paktën njëherë vendos politikën editoriale sipas vlerësimit, ndërhyrja bëhet flagrante.

Në fund të edicionit shihet se redaktore/përcaktuese e kronikave në edicion ka qenë Blerta Foniqi-Kabashi, gazetarja e cila ishte përplasur me Dimal Bashën në emision.

Kjo pasi Basha kishte tentuar ta krahasojë RTK-në me televizionin publik të Serbisë, dhe gjithashtu kishte marrë rolin e redaktorit duke tentuar t’ia tregojë çfarë pyetje të bëjë.

Për besë unë e shoh qysh e shoh secili shqiptar. Në RTS-in e Serbisë ata mujnë me pas shqetësim kryesor Asociacionin . Në RTK-në e Kosovës nuk duhet me kane veç Asociacioni…A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova? Pse po e bën temë a duhet me ba Asociacionin a jo? Na e dimë çka është tema kryesore”, ka thënë Basha.

Ndaj kësaj deklarate kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“AGK-ja, e përgëzon kolegen Foniqi Kabashi për profesionalizimin e treguar në intervistën me deputetin Basha përkundër sjellës së papërshtatshme të deputetit. Basha në këtë intervistë e ka sulmuar edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për punën që e bën në mbrojtje të gazetarëve dhe medieve”, thuhej në reagim.

Lajme të ngjashme