Mesazhet e QUINT’it, kërcënimi i Listës Serbe, betimi i kryetarëve në veri – Çka (s')po thuhet? - NACIONALE

Mesazhet e QUINT’it, kërcënimi i Listës Serbe, betimi i kryetarëve në veri – Çka (s')po thuhet?

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Një kryetar u betua, tre të tjerë janë në pritje. Më 27-28 maj shterrohen afatet ligjore për betimin e kryetarëve të tjerë të rinj në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Mosmarrja e detyrës deri në këto data pashmangshmërisht do të çonte në humbje të mandatave. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, la të hapur mundësinë (edhe thirrjen) që në këto tri komuna tjera të bashkohet edhe ndonjë parti serbe në qeverisje komunale. Kosova, tha ai, do kushtetuetshmëri dhe ligjshmëri, por edhe njëkohësisht me partnerët ndërkombëtar ka për synim të ruajë paqen dhe sigurinë. Dilemat tash më vetëm kanë nisur të thellohen...

Një ditë para betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, pesëshja e QUINT’it do të dilte me një komunikatë që në vetvete përmbante katër mesazhe: Një, se kryetarët e rinj të zgjedhur (me 3.4% të votave) duhet të jenë kryetar thjesht teknik dhe të mos ushtrojnë kompetenca përtej administrative për shkak të zgjedhjeve të asaj natyre që s’ofrojnë zgjidhje afatgjate politike – dy, thirrje ndaj të gjithë aktorëve politikë për të punuar bashkërisht drejt një zgidhje demokratike përfaqësuese për këto katër komuna – tre, që assesi të mos përdoret dhunë nga asnjëra palë; përkatësisht mospërdorimi i forcës për të marrë objektet komunale që mund të mos jenë të qasshme për kryetarët e rinj si dhe anasjelltas nga strukturat paralele serbe që assesi të mos provohet ndonjë veprim i dhunshëm në rastin e marrjes së mandateve nga kryetarët e rinj – katër, të bëhen përparime urgjente për themelimin e Asociaiconit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Albin Kurti, sa i përket kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat të banuara me shumicë serbe, shprehet se ka kërkuar që “të mos funksionohet me triumfalizëm” ndërsa është shprehur se ata “do të jetë udhëheqës me ‘u’ të vogël”. Por, thotë ai, “Republika jonë nuk mund ta lë qytetarin pa komunë”.

Të presim edhe pak ditë, edhe nëse nuk do të kenë përgjigje nga zyrtarët e një partie politike atje do të mund të kenë nga serbët që mund të duan të bëhen zyrtarë. Unë e di që ata nuk janë përgjigjur ende, ta presim të hënën dhe jemi me shpresë që mund të ndryshojë për të mirë, edhe nëse nuk e kemi legjitimit e plotë edhe nëse nuk e kemi gjendjen normale ne duhet ta synojmë këtë, jo me forcë e dhunë, por me dashamirësi dhe me politikën që është në shërbim për të gjithë pa dallim”, tha Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu ka kërkuar nga kryetarët e rinj që brenda afateve kushtetuese dhe ligjore të marrin mandatet e tyre, ndërsa për bojkotin pothuajse absolut të komunitetit serb në këto zgjedhje tha se “nuk ka qenë vullnetar” por i shtyrë nga Beogradi zyrtar “përmes strukturave ilegale të tyre që veprojnë në veri”.

“Kërcënimi” i ri i Listës Serbe dhe Beogradit

Ultimatumet” janë gjuhë e zakonshme për qeverinë e Beogradit; çdo herë nxjerrin nga një të re. Edhe rasti i betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, prodhoi diçka të tillë. Duke folur në një tubim relativisht të madh në Pançevë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se serbët në Kosovës “do të durojnë deri më 1 qershor” ndaj asaj që ai pretendon të jetë “ngacmim i serbëve” nga autoritetet e Kosovës. Të njëjtën gjë gjatë ditës së djeshme e tha edhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq. Serbët, tha ai, do t'u japin "pak kohë" komunitetit ndërkombëtar dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe se më pastaj "përgjigja e tyre do të pasojë".

Fola me përfaqësues evropianë. Ata thonë se ishte gabim. Gjithmonë është gabim, por në dëm të serbëve. Vetëm mos na bëni t’ju kuptojmë juve kur e keni gabim në dëm tonin dhe në dëm të të drejtës ndërkombëtare”, tha Aleksandar Vuçiq, ndërsa shtoi se pavarësisht presioneve që mund t’i vinë “nuk do të dorëzojmë atë çfarë është e jona”.

Lista Serbe pas betimit të Atiq është shprehur se “tash ka nisur zyrtarisht okupimi i veriut” ndërsa kanë folur për datën e 1 qershorit si një datë e fundit “kur duhet të ndalojë ngacmimi i serbëve” dhe se do të mbrohen “me të gjitha mjetet”. “Në emër të Listës Serbe, tham se mjaft është mjaft, dhe se nëse aktivitete të tilla nuk ndalojnë deri më 1 qershor, do të detyrohemi të mbrojmë të drejtën për të qëndruar me të gjitha mjetet”, ka thënë Igor Simiq.

1 qershori nuk është veçse një datë, nuk i bëjmë gjërat me nxitim, ka mjaftueshëm kohë për përfaqësuesit e QUINT’it dhe komunitetit ndërkombëtar për të ndikuar te Prishtina që të ndalojnë këtë bullizim dhe të ndërrojnë mënyrat me komunitetin serb”, ka thënë mes tjerash Simiq. Duke folur për vizionin kroat të një Asociacioni për Komunave me shumicë serbe, Simiq shpërtheu në histeri. “Të gjithë serbët e kuptojnë këtë si thirrje për një Stuhi”, tha ai./Nacionale/

Lajme të ngjashme