Mesazhet e Escobarit nga Shqipëria: E mbështesim Ballkanin e Hapur, marrëveshja e Ohrit është historike
Gabriel Escobar, emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, po e viziton rajonin. Ai gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Shqipëri, ku ka dhënë edhe një intervistë për Top Chanel. Në këtë emision, përveç deklaratave rreth çështjeve në shtetin shqiptar, ai është pyetur edhe rreth disa temave për Kosovën e rajonin, të cilat lidhet po ashtu me shtetin kosovar.
Në fakt, Escobar u pyet në lidhje me marrëveshjen e Ohrit, ku Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, u dakorduar, por nuk e nënshkruan, një marrëveshje të përkrahur nga BE-ja e ShBA-ja. Ai e cilësoi si historike këtë marrëveshje mes dy vendeve që nuk kanë pasur shumë besim.
“Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim.” - vlerësoi Gabriel Escobar.
Ky mesazh, në dukje, i drejtohet më shumë një pjesë të opozitës kosovare, përjashtimisht AAK-së së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, e cila e kundërshtoi marrëveshjen e Ohrit.
Por Esobar bëri edhe një deklaratë që mund të jetë edhe një mesazh për liderët e Kosovës. I dërguar i ShBA-së foli fjalë të mira për nismën rajonale të “Ballkanit të Hapur”, nismë e cila kundërshtohet nga kryeministri Kurti e presidentja Vjosa Osmani. Në fjalën e tij, Escobar theksoi se ShBA-ja e mbështet nismën e “Ballkanit të Hapur”, duke shtuar se në këtë nismë ka shumë gjëra pozitiva.
“Ne mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur, mbështesim përpjekjet tuaj për t’u integruar më pranë fqinjve tuaj dhe në Bashkimin Evropian. Ne vërejmë shumë gjëra pozitive.” – theksoi ai.
Megjithatë, sipas Escobarit, ka ende shumë gjëra për t’u bërë në lidhje me përmirësimin e klimës së investimeve në Ballkanin Perëndimor.
“Tani, ka ende më shumë gjëra që ju mund të bëni në përmirësimin e klimës së investimeve, veçanërisht në lidhje me Gjykatat Tregtare dhe pavarësinë e gjyqësorit. Por, tani për tani, marrëdhëniet tregtare janë në rrugën e duhur.” - është shprehur Escobar.
Ky mesazh duket se shkon në drejtim të të gjithë klasës politike në Kosovës, e cila ka qenë pothuajse njëzëri në kundërshtimin e “Ballkanit të Hapur”, duke e cilësuar shpeshherë me terma arbitrarisht negative. Osmani kishte vlerësuar se kjo nismë nuk është e bazuar mbi parimin e barazisë mes shteteve.
“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonalë, nëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë.” – theksonte Osmani.
Edhe Kurti është treguar në vazhdimësi skeptik në lidhje me “Ballkanin e Hapur”.
“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty.” - theksonte Kurti.
Deri më tani, as Kurti e as Osmani, ende nuk e kanë ndryshuar mendimin e tyre negativ në lidhje me “Ballkanin e Hapur”.


