Pritje të mëdha e të vogla për ardhjen e Kallas në vend të Borrell, ekspertët e shtjellojnë për Nacionalen
Është tashmë një refren i pakëndshëm e i recituar ankueshëm pafund herë dy-tri vitet e fundit që Kosova e gjen veten para një ndërmjetësi nga një shtet mosnjohës si Spanja; që përkthehet në diskurs popullor me automatizëm në “njëanshmëri” në dobi të Serbisë: Josep Borrell.
Ky i fundit në dhjetor të këtij viti e lëshon zyren e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri ndërsa vendin e tij e zë Kaja Kallas, Kryeministrja e Estonisë.
Kjo e fundit një politikane me qëndrime të prera kundër Federatës Ruse, mbështetëse e hapur paraprake ndaj Kosovës; e cila edhe deklarativisht ka bërë thirrje që pesëshja mosnjohëse e BE-së (Spanja, Qipro, Greqia, Sllovakia, Rumania) të njohin përfundimisht Kosovën.
Por, a mund të ketë ndërrim kursi, ose siç rëndom është marrë për “qasje e pabalancuar të BE-së ndaj Kosovës në raport me Serbinë” me ardhjen e saj? Kjo është edhe pyetja që qëndron pezull në ajr kohëve të fundit.
Eksperti kroat i politikës së jashtme dhe kolumnisti i rregullt në Al Jazeera Balkans, Davor Gjenero, në një bisedë me Nacionalen s’e ka asnjë dyshim që “ardhja e saj është gjëja më e mirë në këtë moment” sa i përket Kosovës dhe pozitës së saj, sipas tij, të keqfavorshme në raport me Serbinë te fascilituesit: BE-ja.

Gjenero – që është njohës prej së afërmi i dinamikeve përzgjedhëse të politikës së jashtme të Serbisë në raport me Rusinë – e sheh Kallas si politikanen që kupton “më së miri parimet e regjimit totalitar rus”.
“Në të njëjtën kohë ajo e kupton çka po ndodh në Serbi (në lidhjet me Rusinë)”.
“Jam tepër i sigurt që është dramatikisht e rëndësishme që në njërën anë të ketë situatë më në fund që negociatat mes Serbisë dhe Kosovës të udhëheqet nga një përfaqësues që vjenb prej një shteti që njeh Kosovë”, na thotë ai.
“Ky emërim është lajm që sjell shumë optimizëm për Kosovën”, është i bindur ai, teksa katër vitet e fundit për Kosovën i sheh në disfavor me ndërmjetësuses si Borrell dhe Lajçak.
“Nuk është askush në politiën e lartë të jashtme të BE-së që kupton parimet e autoritarizmit dhe totalitarizmit se sa Kaja Kallas”, përfundon ai.
Profesoresha në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, megjithatë s’e sheh në kaq dritë të mirë për ndërrimin e kursit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi ardhjen e Kallas.

“Borrelli hiç asnjë shenjë s’e ka lënë në politikën e BE-së në lidhje me Kosovën. Prandaj edhe pasuesja e tij nuk do të ketë një palë këpucash të mëdha për t’i mbushur. Fokusi i Kaja Kallas është Rusia dhe NATO ngase është e shqetësuar me sigurinë e shteteve baltike. Kosova do të jetë në fokus në kuptimin e perspektivës së sigurisë së BE-së, veçanërisht nëse interferimi rus në atë pjesë të Evropës vazhdon të zgjerohet”, tha Nevenka Tromp për Nacionalen.
Për Tromp qasja e butë dhe e marrjes më të mirë Serbinë – sa për ta tërhequr nga Rusia – do të vazhdojë si kaherë.
“BE ende vazhdon të besojë që Serbinë mund ta ngrejë jashtë Rusisë dhe do të vazhdojë në litar-ngrerje politike me Serbinë. Prandja problemi me Kosovën do të trajtohet nga perspektiva e të drejtave të njeriut dhe perspektiva e së drejtës ndërkombëtare”, na tha ajo.
“Procesi i përshpejtimit të njohjeve të Kosovës në kufijt e saj integralë do të varet nga vlerësimet e rreziqeve të sigurisë në lidhje me mbështetjen ruse ndaj Serbisë në pretendimet e saj së paku në marrjen e veriut”.
Krejt në fund, konkludon Nevenka Tromp, se “ky ngërç mund të zgjasë për kohë të gjatë dhe të shkojë përtej mandatit pesë vjeçar të Kallas”.