Mëngjes i fuqishëm propagande në Beograd, mobilizohet shteti serb nëpër studio televizive kundër njësive speciale të Kosovës - NACIONALE

Mëngjes i fuqishëm propagande në Beograd, mobilizohet shteti serb nëpër studio televizive kundër njësive speciale të Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje vazhduan dramën e takimeve senzacionale e spektakolare në Rashkë me serbët e Kosovës dhe Listën Serbe, ndërkaq mëngjesin e të premten ia mësyen të pushtojnë ekranet në frekuencat kombëtare serbe. Zv/kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, drejtori i së ashtuquajturës “zyrë për Kosovë”, Petar Petkoviq, Sekretari i Ministrisë serbe të Jashtme, Nemanja Staroviq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, u kujdesen që programet e mëngjesit në serbe të dëgjojnë një gjë të vetme, të ashtuquajturin “pushtim të veriut nga njësitë speciale të Kurtit”.

Qysh prej fillimi të vitit kanë qenë 38 sulme”, tha Millosh Vuçeviq, ministër i mbrojtjes dhe kryeministër i ardhshëm (në rotacion dy-vjeçar me Ana Brnabiq) i Serbisë. “Këto janë tentim vrasje, plagosje të rënda, forma terrori dhe presioni mbi komunitetin serb”, tha ai në Tv Pink, televizion ky kryekëput në shërbim propagandistik të shtetit serb.

Se “këto janë tentim vrasje”, Vuçeviq thotë se “më për këtë nuk ka askush asnjë dilemë” por se “ekziston një mur heshtjeje” ndaj asaj që ai e propagandon si “spastrim etnik të serbëve nga Kosova”.

Siç e tha edhe presidenti ynë, loti ynë nuk ka nënë”, tha Vuçeviq në një melodramaticitet të tipit të Aleksandar Vuçiq. “Mbi të gjitha dëgjuam rrëfimet e njerëzve dhe të fateve të txyre, për neve dhe për mbarë Serbinë, dikur të padukshme. Kur dëgjoni këto interpretime autentike të serbëve që jetojnë në kushte gati se të pamundshme, ishte e dobishme për ne t’i dëgjojmë. Është e vështirë të marrin vendime që në një mënyrë nuk i bashkëpërgjigjen ngarkesës ndjesore, por kjo është detyrë e politikanve. Dhe kjo neve na bën të përbëjmë dallimin me ato që thjesht mbledhin poena politike”, tha mes tjerash ai.

Ndërron ekrani, hyn Petkoviqi...

Njëra nga të ashqutuajturat “pesë konkluzione” të miratuara në takimin e djeshëm në Rashkë, tregoi ai, është edhe kërkesa për tërheqjen “e menjëhershme të të gjitha njësive speciale” nga pjesa veriore e Kosovës. “Asgjë nuk kanë çfarë të kërkojn atje”, tha ai në tonin e tij të kahershëm. “Po ndërtojnë baza në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit. Do të ngulim këmbë në tërheqjen e të gjithë atyre”.

Petkoviq pati shumë çka për t’u ankuar edhe ndaj reagimeve të komuniteti ndërkombëtar. “Në reagime te tyre të stërvonshme, nuk përmendin që sulmi ishte i motivuar etnikisht, por e karakterizojnë si incident”.

Inkuadrohet edhe Igor Simiq...

Simiq i kthehet pamjeve të ndjeshme dhe gjuhën e drejton ka Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Këto janë pamjet që më së miri përshkruajnë se sa regjimi i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit dëshiron ta kthejnë rajonin në të 90’at. Të shtënat mbi qytetarët serbë nga njësitë speciale shqiptare, dhe madje edhe ndaj një fëmije 11 vjeçar, janë fotografi të politikave tuaja ndaj serbëve”, ka shkruar Igor Simiq.

Edhe Staroviq...

Qëllimi i Kurtit, nënvizon ai, është “të nis një spirale eksalimesh”. “Duke konsideruar psikozën e luftës që e ka marrë përvete Evropën, kur një konflikt serioz ndodh, logjika e diplomacisë merr fund dhe logjika e luftes hyn në skenë”.

Situata ku kemi dërgim të vazhdueshëm të njësive mono-etnike të militarizuara të policisë kosovare, që as nuk janë të trajnuar e as të pajisur për të kryer detyre nën juridiksionin e rregullt të një patrolle policore të trafikut, është formë frikësimi për popullin serb”, tha mes tjerash ai.

Çfarë e “ndezi” propagandan serbe kaq shumë?

Një incident në pjesën veriore të vendit ka ngjarë, ku janë arrestuar katër pjesëtarë të njësisë speciale policore të Kosovës, ku njëri prej tyre dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri ndaj qytetari serb të Kosovës.

Ky rast është dënuar nga autoritetet kosovare menjëherë.

Lajme të ngjashme