Memli tha "PDK e gatshme të marrë pushtetin nëse dorëzohet Kurti", por a është? - NACIONALE

Memli tha "PDK e gatshme të marrë pushtetin nëse dorëzohet Kurti", por a është?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një deklaratë e Memli Krasniqit, kryetarit të PDK-së, ka bërë bujë gjatë ditës së sotme në rrjetet sociale. Ai tha se është i gatshëm të marrë pushtetin, nëse Kurti dorëzohet. Por, a është?

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është në oporizë tash e dy vjet e nëntë muaj e dhjetë ditë. Ose, saktësisht prej datës 3 shkurt 2020 kur Albin Kurti u bë për herë të parë kryeministër i Kosovës.

Ata do të vazhdonin në opozitë edhe gjatë Qeverisë Hoti. E tash, edhe gjatë Qeverisë Kurti II.

Çka tha Krasniqi?

“...shkuarja në zgjedhje tash mund të ndodhë vetëm nëse kryeministri dorëhiqet dhe dorëzohet. Unë shpresoj që kryeministri që ka marrë besimin e kaq shumë qytetarëve nuk është njeri që dorëzohet. Nëse ai dorëzohet ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë për të udhëhequr me vendin,” – ka thënë Memli Krasniqi, në një intervistë të fundit për EO.

Por, a është PDK-ja përnjëmend e gatshme për të marrë frenat e pushtetit?

Krasniqi në Amerikë

Memli Krasniqi do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) gjatë këtyre ditëve. Nuk dihet sa do të qëndrojë, por dihet se vizita ka përftuar shumë vëmendje e domethënje politike.

Kryetari i PDK-së ka provuar vazhdimisht gjatë kohës sa është kryetar i kësaj partie të paraqes një lider opozitar konstruktiv, që interesat shtetërore i vendos mbi ato partiake.

Megjithatë, sulmet nga eksponentët e pushtetit kanë qenë të vazhdueshme.

Nuk dihen arsyet e kësaj vizite, por dihet se ajo vjen në kohën kur zyrtarëve të lartë të Qeverisë Kurti – si Albulena Haxhiu – u janë anuluar vizitat.

Ndërkohë, zërat për zgjedhje të reja janë rritur vetë nga eksponentë të Vetëvendosjes që po e cilësojnë vizitën e Krasniqit (por edhe atë të Abdixhikut) drejt ShBA-ve si përpjekje për të rrëzuar Kurtin sërish.

Edhe Memli Krasniqi, por edhe Lumir Abdixhiku janë treguar mjaft të ashpër ndaj Kurtit për rrezikimin e raporteve historikisht të mira me ShBA-të.

Megjithatë, kryetari i PDK-së kanë qenë ndjeshëm më i zbehtë në deklarimet e tij.

Qeveria e hijes

PDK e kishte premtuar një Qeveri në hije qysh para se të dilte në opozitë. Për shkaqe të ndryshme, kjo qeveri ishte riemëruar në “Kabinet për Qeverisje të Mirë”.

Por, edhe pse po bëhen gati tri vjet në opozitë, PDK-ja nuk ka kompletuar këtë kabinet.

Janë gjithsej 15 departamente brenda këtij kabineti, që i përgjigjen formatit të organizimit qeveritar me 15 ministri.

Por, shihni se çka qet kur futemi në vegëzën “Departamenti për Ekonomi dhe Ndërmarrësi”. Ose, “Departamenti për Shëndetësi”. Ose “Departamenti për Përkujdesje Sociale”. Ose “Departamenti për Transformim digjital dhe inovacion”.

Në bazë të kësaj, nuk duket se PDK është e gatshme për të marrë pushtetin.

Sondazhet

Në bazë të sondazhit të fundit që ka matur opinionin publik në fund të muajit tetor, e që është parë nga gazeta Nacionale, PDK-ja nuk po rritet.

Partia më e madhe opozitare që doli nga rezultatet e 14 shkurtit 2021, nuk po rritet përkundër që partia në pushtet, Vetëvendosje, po ulet në përmasa të frikshme.

Ajo kishte marrë vetëm 33.9% të mbështetjs qytetare në sondazhin e fundit, por PDK kishte fituar mbështetje në përmasa shumë shumë të vogla, duke dalë me 20.1 për qind.

Në fakt, kjo parti politike kishte humbur edhe vendin e dytë në skenën tonë politike duke u kapërcyer madje bindshëm nga LDK-ja.

A është e gatshme PDK-ja për të marrë pushtetin nëse dorëzohet Kurti? Shenjat nuk duken aq të mira.

Lajme të ngjashme