Memli Krasniqi: Marrëveshja me Serbinë do ta përfshijë edhe krijimin e Asociacionit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se beson që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do ta përfshijë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në versionin e parë nga propozimi franko-gjerman, u tranformua qasja nga “marrëveshje me njohje në qendër, në marrëveshje me Asociacion në qendër”.
“Pavarësisht që dokumenti franko-gjerman si propozim është dokument që më shumë bazohet në vlera, nuk flet në mënyrë konkrete për afate dhe për veprime që duhet t’i ndërmarrin dy palët dhe rrjedhimisht as emri asociacion nuk figuron aty, e vërteta është që në versionin e parë ky dokument e ka transformuar qasjen nga marrëveshje me njohje në qendër në marrëveshje me Asociacion në qendër, kështu që po unë besoj që marrëveshja si e tillë e përfshin krijimin e Asociacionit gjithsesi.” – tha ai.
Vlen të theksohet se dialogu mes dy vendeve pritet të intensifikohet në muajt e parë të vitit 2023.
Madje, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se marsi është afati i fundit për një marrëveshje mes dy vendeve.
