Meliza Haradinaj: Qeveria me vetëdije po lejon që të kushtëzohet liberalizimi i vizave me dialogun - NACIONALE

Meliza Haradinaj: Qeveria me vetëdije po lejon që të kushtëzohet liberalizimi i vizave me dialogun

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se Qeveria Kurti po ia lejon vetës kushtëzimin e procesit të liberalizimit të vizave me dialogun me Serbinë, për shkak se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i cili është përgjegjës për dialogun me shtetin fqinj po e menaxhon edhe portofolion e integrimit evropian.

Ajo këto deklarime i ka bërë në ‘Facebook’, pas raportimeve se Franca ka kushtëzuar liberalizimin e vizave deri në funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

“Gabimi kryesor strategjik qëndron në faktin se portfolion e integrimit evropian e menaxhon i njejti Zëvendës-Kryeministër i cili është përgjegjës për dialogun ’teknik’ me Serbinë. Andaj kjo Qeveri me vetëdije po lejon që të kushtëzohet njëri proces me tjetrin!”, ka shkruar ish-ministrja e Punëve të Jashtme.

Ndër të tjera, Haradinaj-Stublla ka bërë thirrje që të rikthehet si ministri ajo e Integrimit Evropian dhe të punohet intenzivisht në një agjendë evropiane.

Postimi i plotë:

KOSOVA DUHET TË RIKTHEJË MINISTRINË E INTEGRIMIT EVROPIAN!

Procesi i liberalizimit e definon saktë marrëdhënien jofunksionale të Kosovës me BE-në: shpërfillëse, të pabarabartë, dhe politike. Ndonëse me shumëfish më shumë kritere se vendet tjera rreth nesh, të vendosura në një marrëdhënie të qartë kontraktuale me BE-në, çështje kryesisht të natyrës teknike jo rrallë janë keqpërdorur nga BE për të kushtëzuar procese tërësisht politike në Kosovë.

Fakti se çështja e politikës së jashtme të BE-së mbetet përgjegjësi ekskluzive e shteteve anëtare, shumë shpesh në rastin e Kosovës është përdorur si mjet për të mbipremtuar (si psh liberalizimi) ndërsa pas dështimit nga ana e tyre, është përdorur si arsyetim për t’u shfajësuar se kinse secila prej shteteve anëtare kanë qëndrime të ndryshme. Prandaj, e them me bindje të plotë se mangësitë strukturore të BE-së nuk i pasqyron asgjë më qartë sesa procesi i tejzgjatur i liberalizimit të vizave për Kosovën, proces i cili ia ka humbur kredibilitetin BE-së si tërësi politike së pari për të nderuar obligimet e tyre kontraktuale, për të ofruar një vizion proevropian për shtetet aspiruese, dhe së treti për të mbajtur premtimet e tyre politike.

Për mua sot mbetet e pakuptueshme se si institucionet aktuale të Kosovës ringritën shpresat e qytetarëve dhe aktualizuan çështjen e liberalizimit, pa qenë të mirëinformuar se ende ka çështje ‘teknike’ të pasqaruara bilaterale me disa shtete anëtare!

Kosova duhet të rikthejë me urgjencë Ministrinë e Integrimit Evropian, dhe të punojë intenzivisht në agjendë serioze për avancimin e rrugës eurointegruese, një rrugë e pa-alternativë për Republikën e Kosovës!

Lajme të ngjashme