Mehaj: Kërcënim për komunitetin serb janë grupet kriminale të dirigjuara nga Beogradi
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri, ku ka thënë se Ushtria e Kosovës është me ju.
Mehaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ngritja e kapaciteteve ushtarake serbe në kufirin me Kosovën dhe vendimi i pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Kosovës janë veprime me tentim destabilizimin e vendit.
“Dënojmë një çasje të tillë që qartazi është në kundërshtim me frymën e dialogut e po ashtu me realitetin e ri të Kosovës. Këto veprime janë pengesa e vetme që të arrihet një marrëveshje që do lejonte të dyja shtetet të ecin para për t'u integruar në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Mehaj.
Ai tutje ka thënë se Ministria e Mbrojtjes dhe organet e tjera të rendit, mbeten të përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit si dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie.
“I vetmi kërcënim për komunitetin serb janë individët dhe grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, veprimtaria e të cilëve duhet ndalur sa më parë, dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, si dhe me misionin e KFOR-it. Prandaj, apelojmë të gjithë qytetarët e vendit e specifikisht qytetarët tanë të komunitetit serb, që të jenë vigjilent, të mos manipulohen dhe të mos bien pre e dezinformatave që janë pjesë e skenarëve të orkestruar pandërprerë nga Serbia dhe mekanizmat e saj të njohura e të praktikuara edhe në të kaluarën”, ka vazhduar Mehaj.