Mehaj me thirrje për të rinjtë: Bëhu pjesëtar i Operacioneve Speciale të FSK-së
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka bërë thirrje të rinjve që të bëhen pjestar të Operacioneve Speciale të FSK-së.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë këtij muaji Operacionet Speciale të FSK do të zhvillojnë procesin selektues i cili përzgjedh vajzat e djemtë e FSK që dëshirojnë të bëhen operatorë të së ardhmes.
“Në këtë proces i cili është i ndërtuar sipas standardeve më të larta ushtarake, mund të marrin pjesë të gjithë ushtarakët nga grada ushtar (OR-2) deri në gradën toger (OF-1). Pas këtij procesi, ushtarakët e përzgjedhur kanë mundësinë të vazhdojnë Kursin Bazë të Forcave Speciale në Republikën e Shqipërisë. Tregoni potencialin tuaj dhe bëhuni pjesë e Operacioneve Speciale të FSK-së!”, ka shkruar Mehaj.
Ai tutje ka thënë se të qenurit Operator Special nënkupton që duhet të jeni i motivuar, me guxim të palëkundur, të keni aftësi bashkëpunuese dhe të menaxhoni në situatat me presion të lartë.
“Pjesëtarët e përzgjedhur do të kenë mundësinë për trajnime në fusha të ndryshme me partnerët tanë lokal dhe ndërkombëtar duke shkëmbyer përvoja dhe shkathtësi në mënyrë që vendi ynë të gëzojë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. Zhvillimi i karrierës suaj është në dorën tuaj. Shërbeni paqes dhe stabilitetit brenda dhe jashtë vendit në mënyrë profesionale krah për krah me njësinë tjera elitare të FSK-së”, përfundon statusi i tij.
