Mediumi serb: Vuçiq do të deklarohet nesër për përgjigjen e KFOR-it dhe plagosjen e të rinjve në Kosovë
Mediumi serb i afërt me regjimin Informer, ka njoftuar se nesër në orën 10:00 të mëngjesit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të flasë për plagosjen e dy të rinjve serbë në Kosovë.
Ndër të tjera, kjo media ka bërë te ditur se Vuçiq do të flasë edhe për përgjigjen me shkrim të KFOR-it, në lidhje me kërkesën e Beogradit për kthimin e 1000 forcave serbe në Kosovë.
Sipas Informer, Vuçiq do t’i informojë qytetarët për hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë Serbia ‘për mbrojtjen e serbëve në Kosovë’.
“Të dielën në orën 10:00 në një intervistë për TV Pink, Presidenti do ta informojë opinionin për detajet e letrës së KFOR-it, por edhe për përgjigjen e shtetit të Serbisë dhe të gjithë hapat e ardhshëm që do të ndërmarrim për mbrojtjen e serbëve në Kosovë”, ka shkruar Informer, bazuar në burime brenda presidencës serbe.
