Mediumi gjerman: Kosova vendi i dytë më i varfër në Evropë, zëvendësohet nga Ukraina në të parin
Kosova është rënditur e dyta si vendi më i varfër në Evropë, në një listë të publikuar nga mediumi gjerman “Der Westen”. Lista e bazuar në Prodhimin e Brendshëm Bruto është ndarë me numrin e banorëve, për të siguruar një rennditje të saktë dhe të krahasueshme të vendeve më të varfra në Evropë, sipas këtij artikulli. Cila është renditja për 10 shtete?
Siç shkruan mediumi gjerman, Serbia renditet në vendin e dhjetë për nga varfëria me një PBB për kokë banori prej 10 mijë e 360 dollarëve amerikanë.
Mali i Zi, renditet pas Serbisë. Shteti i vogël me një numër të banorëve rreth 600 mijë, i cili mbështetet në turizëm, ka një PBB për kokë banori prej 9 mijë e 811 dollarë amerikanë.
Bjellorusia po ashtu, është pjesë e kësaj liste duke u rënditur si vendi i tetë më i varfër me PBB për kokë banori prej 7 mijë e 859 dollarë amerikanë. Shteti – sipas këtij raportimi – fiton më shumë nga industria e tij e tekstilit dhe përpunimi i drurit.
E shtata në listë është Bosnje e Hercegovina me PBB prej 7 mijë e 337 dollarësh, pasuar nga Gjeorgjia me PBB prej 6 mijë e 670 dollarësh. Sektori i ekonomisë në këtë shtet kryesisht fokusohet në turizëm përgjatë Detit të Zi, kultivimit dhe eksportimit të frutave.
Maqedonia e Veriut renditet e pesta në listë me PBB për kokë banori prej 6 mijë e 608 dollarësh amerikanë. Ky shtet i Ballkanit Perëndimor eksporton më së shumti produkte ushqime, verë, hekur dhe çelik.
Shqipëria është e katërta në listë – pavarësisht që siç shkruan ky medium, ka sukses në turizëm dhe kontrollimin e inflacionit. Me një PBB për kokë banori prej 6 mijë e 457 dollarë amerikanë, është pjesë e shteteve më të varfëra në Evropë. Papunësia e madhe dhe infrastruktura e dobët janë disa prej sfidave me të cilat përballet.
Në vend të tretë, është Moldavia me një PBB për kokë banori prej 5 mijë e 671 dollarësh. Qytetarët e këtij vendi fokusohen më shumë në agrikulturë dhe kultivimin e frutave.
Kosova – vendi i dytë më i varfër në Evropë
Sipas këtij mediumi, shteti që ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga një numër vendesh, qëndron ende një ndër vendet më të varfëra në Evropë.
Një gjë e tillë, shkruan se ndodhë jo vetëm për shkak të politikave të dështuara sociale dhe ekonomike si pjesë e Jugosllavisë, por edhe vështirësive për t’u zhvilluar pas luftës.
Për këtë arsye, Kosova është konsideruar si vendi më i varfër në Evropë për një kohë të gjatë. Aktualisht, në këtë listë tregohet se Kosova ka një PBB për kokë banori prej 5 mijë e 290 dollarësh.
Ukraina – vendi më i varfër
“Der Western” shkruan se fakti që Ukraina e ka zëvendësuar Kosovën si vendi më i varfër në Evropë vjen për shkak të agresionit rus që filloi në shkurt të vitit 2022.
Para se të ndodhte kjo, Ukraina ka pasur një ekonomi që ishte në trajektore të rritjes, por ishte karakterizuar me nivele të larta të korrupsionit, me një treg të ekonomisë të pakompletuar dhe një demokraci fragjile. Aktualisht, PBB për kokë banori në Ukrainë është vetëm 4 mijë e 348 dollarë amerikanë.

