Mediat serbe: Serbinë e pret stuhia diplomatike në vjeshtë
Zgjedhjet në Serbi sapo kanë përfunduar dhe gjithnjë e më shumë flitet për valën e ardhshme të presionit të fortë nga Perëndimi ndaj udhëheqjes shtetërore të Serbisë për të ndryshuar politikën e saj ndaj Rusisë. Sipas këtyre parashikimeve, qëllimi i stuhisë së pritshme diplomatike, e cila rrezikon ta kaplojë Serbinë, do të formulohej si harmonizim i politikës së jashtme të Serbisë me BE-në dhe Perëndimin, ose thënë ndryshe - vendosja e sanksioneve ndaj Moskës, shkruajnë mediat serbe.
Sipas ekspertëve serbë, njohës të politikave të brendshme dhe ndërkombëtare, Beogradi nuk ka bërë ende ndonjë gjest që mund të tregojë ndonjë ndryshim në kursin e politikës së jashtme. Edhe nëse kjo do të ndodhte, një vendim formal për të do të duhej të priste formimin e një qeverie të re, sepse qeveria ekzistuese nuk do të kishte legjitimitet për një vendim të rëndësishëm. Kjo çështje mund të vijë në rend dite vetëm në shtator, i cili është afati i fundit që forcat që sigurojnë shumicën në parlament të marrin timonin e pushtetit politik, shkruan Novosti.
Bojan Millisavljeviq, profesor i së drejtës publike ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Beograd, pohon se presioni perëndimor mbi Beogradin me siguri do të rritet sa më shumë të zgjasë lufta në Ukrainë. Ai thekson se Serbia do të ketë gjithnjë e më shumë probleme për të ruajtur pozicionin ekzistues të politikës së jashtme.
“Politika jonë për çështjen e konfliktit në Ukrainë deri më tani ka qenë jashtëzakonisht e ekuilibruar dhe e mençur, dhe qëndrueshmëria e saj do të ndikohet më së shumti nga situata në terren. Një ndryshim i mundshëm i qëndrimit në lidhje me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë do të ishte i një rëndësie të gjerë dhe në të duhet të marrin pjesë sa më shumë faktorë nga skena e brendshme politike”, thotë Millisavljeviq.
Profesori Millisavljeviq gjithashtu thotë se do të ishte jashtëzakonisht jokorrekte nëse qeveria aktuale do të ndërmerrte veprime për të ndryshuar kursin shtetëror, kështu që një çështje kaq madhore do të duhej të ishte ndër detyrat qeverisë së re.
“Kjo mund të jetë një arsye e përshtatshme formale për të prolonguar vendimin dhe për të neutralizuar presionin, i cili me siguri se do të bëhet më i fortë”, thekson Millisavljeviq.
Edhe sikur të dojë, Serbia në këtë moment vështirë se mund t'i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, sepse autoritetet e saj nuk e kanë legjitimitetin e duhur për vendime të tilla madhore, vlerësojnë analistët serbë.
Profesori i së drejtës kushtetuese Bogolub Millosavljeviq shpjegon se do të ishte jashtëzakonisht e pazakontë që lëvizje të tilla dramatike të bëheshin në periudhën e tranzicionit.
“Si rregull, qeveritë në largim kryejnë vetëm detyra urgjente dhe të nevojshme. Vendimi për vendosjen e sanksioneve ndaj një vendi të huaj do të ishte i diskutueshëm nga aspekti i legjitimitetit dhe nuk do të ishte as i ligjshëm. Rregulloret e brendshme nuk specifikojnë kompetencat "teknike", por nuk ka dyshim se përcaktimi i një kthese ekstreme drejt Rusisë, që do të përfshinte sanksione ekonomike apo të tjera, nuk duhet të ndodhë në këtë moment”, thotë Millosavljeviq.
Megjithatë, për analistin politik, Dragomir Angjellkoviq, nuk ka dilemë në atë që Brukseli dhe Uashingtoni do të përpiqen të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë dhe kështu ta trasojnë politikën e saj të jashtme.
“Perëndimi sigurisht që ka planifikuar ta rrisë presionin ndaj Serbisë. Rezultatet e zgjedhjeve, megjithatë, ngrenë pyetjen nëse kjo është fare e mundur. Votimi tregoi qartë se shumica e elektoratit ka ndjenja të forta për Rusinë. Kjo është e vërtetë jo vetëm për partitë që kanë hyrë në parlament me politikën e tyre rusofile, por edhe për SNS-në, e cila ka edhe zyrtarë dhe anëtarë në radhët e saj që ndajnë këtë qëndrim”, thotë Angjellkoviq.
Ai nuk ka dyshim në atë se as qeveria e tanishme dhe as qeveria e ardhshme e Serbisë nuk do të vendosin sanksione ndaj Rusisë.
“Do të ishte kapitullim. Ndërsa faturimi do t’i shkonte Serbisë në luftën e saj për ruajtjen e Kosovës dhe për mbrojtjen e statusit të Republikës Srpska”.